KRU “Prishtina” thotë se uji i pijshëm është 100 për qind i sigurt

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar që uji është 100 për qind i sigurt për konsum.

Në një njoftim që kanë bërë në Facebook kanë treguar se vëllimi i punës dhe kontrolli ditor bazik dhe periodik që kryejnë ata bënë që uji të jetë maksimalisht i sigurt.

Sipas tyre kontrolli i ujit bëhet bazuar në standardet cilësore dhe evropiane mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit.

“Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

KRU ka informuar se cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu.