KRU "Prishtina" shpreson në stabilizimin e situatës, tregon se sa litra ujë po trajtohen aktualisht në impiantin në Drenas

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se në impiantin e ujit në Drenas aktualisht janë duke u trajtuar 80 litra për sekondë, duke thënë se shpresojnë në stabilizimin e situatës shumë shpejt.

“Me Impiantin e Trajtimit të Ujit në Drenas, sapo filluam me trajtim 80 l/s. Shpresojmë në stabilizim të situatës shpejtë” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se së shpejti pritet të normalizohet furnzimi me ujë në komunat e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti po ashtu ka thënë se prurjet e ujit në KEK kanë arritur në nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit “Kosova B”.

“Ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq” – ka shkruar kryeministri Kurti.

Po ashtu, edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit është duke u kthyer në normalitet.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rizvanolli ka thënë se mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Lidhur me shpërthimin, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me 30.11.2024.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë bastisjeve në veri, gjatë ditës së djeshme.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – krejt çfarë dihet deri më tani