Logo e NP KRU" Prishtina"

KRU ‘Prishtina’ blen 80 telefona dhe 80 powerbanka

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”Sh.A,  nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik, “e-prokurimi”, së fundmi ka bërë të ditur se ka kontraktuar 16,560 euro për tu furnizuar me telefona të mençur dhe pajisje “Power bank”.

Për këtë tenderi i cili ishte hapur me 31 maj 2022, ishin pranuar 5 tenderë, ku të gjithë ishin vlerësuar të përgjegjshëm.

Sipas njoftimit, për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor procedurë e hapur e prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ishte 19,104 euro ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 16,560, i kompanisë “InterAdria L.L.C” e të cilës më pas iu është dhënë kontrata.

Nëpërmjet kësaj kontrate, me kohëzgjatje 30 ditë, pritet të blihen 80 telefona të mençur dhe 80 pajisje “Power bank”.

Burimi: E-Prokurimi

Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në KRU “Prishtina”, për KALLXO.com tregon arsyen e blerjes së këtyre telefonave mobilë dhe “power bank”ëve.

“Telefonat mobilë dhe ‘power bank’ janë blerë sepse ne leximin e ujëmatësve e bëjmë me pajisje smart, me android, dhe ato u duhen lexuesve, do të thotë janë pajisje që shfrytëzohen, amortizohen, janë telefona androidë, dhe pastaj kur dëmtohen ua ndërrojmë, ua marrim ata të vjetrit, ua japim të rinj. Edhe ua japim edhe një ‘power bank’ të ri që ata duhet GPS-in me mbajtë gjatë gjithë kohës të lëshuar që me mujtë me ditë ku janë duke lexu, me i kontrollu lexuesit, do të thotë a janë nëpër terrenet e tyre, me i marrë të dhënat, koordinatat e konsumatorit se ku janë, për këtë shkak neve na vyjnë gjatë gjithë kohës me i mbajtë këta telefona androidë në pjesën e lexuesve për shkak se atyre u duhet për faturim” – ka thënë Xhafa.

Sipas Xhafës, faturimi është digjital “mobile- billing” dhe për këtë shkak i duhen telefonat lexuesit, inkasantit.

Më tej Xhafa thotë se ata janë të gjithë të destinuar, të gjithë njëlloj, të gjithë “Samsung” më pak se 200 euro nëse nuk gaboj është një, edhe të gjithë përdoren për “mobile billing” punë të terrenit që inkasantët i përdorin për lexim dhe shtypje të faturave.

Xhafa thotë se janë në pritje të realizimit të furnizimeve.

(Ky tekst është plotësuar me sqarimin e ushtruesit të detyrës të kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa)