
Foto: Ministria e Ekonomisë
KRU Mitrovica nënshkruan marrëveshje me tri komunat në veri për inkasim dhe faturim të ujit
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka nënshkruar marrëveshje me kryetarët e tri komunave me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, për inkasimin dhe faturimin e faturave të ujit të banorëve të këtyre komunave.
Kryeshefi i KRU Mitrovica, Bashkim Kurti, citohet të ketë thënë se do të ketë një periudhë tranzitore deri në fund të këtij viti, për evidentimin e konsumatorëve dhe vendosjen e ujëmatësve nëpër këto komuna.
“Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë tranzitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel” – ka thënë ai më 17.01.2025.
Ndërsa ministrja Artane Rizvanolli citohet të ketë thënë se marrëveshja është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.
“Deri më sot KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tri komuna, Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut, edhe pse ne të gjithë e dimë se kjo nuk është rajoni i plotë i Mitrovicës dhe kjo nuk e reflekton integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nga sot, KRU ‘Mitrovica’ po i jep kuptim të plotë emrit të vet duke lidhur marrëveshje të shërbimit edhe me tri komuna veriore, së shpejti besoj të katërtat” – citohet të ketë thënë Rizvanolli.