Kronologji lufte: Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, një vit më vonë

Tashmë ka kaluar një vit që kur bota dëshmoi pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili rezultoi me vdekjen e mijëra njerëzve, shkatërrimin e shumë qyteteve dhe detyroi miliona ukrainas të shndërroheshin refugjatë.

Më poshtë po e japim kronologjinë e momenteve kryesore gjatë një viti që u shpërfaqën gjatë pushtimit rus të Ukrainës:

Shkurt 2022: Në orët e para të 24 shkurtit 2022, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij në Ukrainë. Aleatët perëndimorë të Kievit kishin paralajmëruar për një agresion të afërt rus për muaj të tërë. Megjithatë, vendimi i Putinit erdhi si një tronditje për shumë njerëz në Ukrainë dhe në mbarë botën. Duke folur në televizionin shtetëror rus, ai njoftoi nisjen e atij që ai e quajti një “operacion special ushtarak” për ta “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën. Pak më vonë, shpërthimet e para u dëgjuan në të gjithë Ukrainën. Një seri sulmesh raketore dhe përdorimi i artilerisë me rreze të gjata u përhap me shpejtësi në të gjithë Ukrainën qendrore dhe lindore ndërkohë që forcat ruse sulmuan vendin nga tri anët, një votim i OKB-së që kërkonte që Rusia t’i tërheqë forcat e saj dhe liderët globalë të vendosur ta forcojnë ndihmën për Ukrainën dhe të vendosin sanksione të reja ndaj Moskës dhe vendeve që mbështesin përpjekjet e saj për luftë.

Mars 2022: Më 2 mars, Rusia pretendoi se forcat e saj embanin plotësisht kotrollin Kherson, një qytet me rreth 300,000 banorë. Autoritetet ukrainase i kundërshtuan pretendimet në atë kohë. Putin pretendoi se lufta “po shkonte sipas planit” ndërsa trupat e tij po e rrethonin qytetin kyç ukrainas të Mariupolit më 3 mars. Një maternitet në qytetin juglindor u godit nga një raketë ruse. Sulmi erdhi pavarësisht se Rusia ra dakord për një pauzë 12-orëshe në armiqësitë për ta lejuar evakuimin e refugjatëve. Më 16 mars, bombardimi i Teatrit të Dramës në Mariupol ishte ndër sulmet më të pafytyra të Rusisë ndaj civilëve. Zyrtarët ukrainas vlerësuan se 1,300 njerëz ishin strehuar në këtë teatër. Rreth 300 vdiqën atë ditë, thanë autoritetet në atë kohë, por raportet e mëvonshme sugjeruan se numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë. Rusia mohoi se forcat e saj ishin përgjegjëse për këtë sulm.

Prill 2022: Kur trupat ruse u tërhoqën nga Bucha në fillim të prillit, ata lanë pas një gjurmë shkatërrimi – dhe dëshmi të ekzekutimeve, brutalitetit dhe granatimeve pa dallim. Pamjet që shfaqnin dhjetëra trupa civilësh të shpërndarë nëpër një rrugë të vetme në Bucha nxitën thirrjet që Rusia të hetohej për krime lufte. ‘Moskva’, bajraktari i flotës ruse të Detit të Zi, u fundos me 14 prill. Shkaku mbetet i diskutueshëm. Ukraina zyrtare deklaroi se e ka sulmur Moskën me raketa navigimi kundër anijeve, duke shkaktuar një zjarr që shpërtheu municionin e ruajtur aty. Rusia ia vuri fajin një zjarri me origjinë të panjohur. Cilado qoftë arsyeja, humbja e flotës me raketa të naviguara ishte një siklet i madh ushtarak për Rusinë dhe humbja më e madhe e saj gjatë luftës së një anijeje detare në 40 vjet.

Maj 2022: Fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol u bë një tjetër simbol i rezistencës ukrainase përballë një armiku shumë më të madh. Mbrojtësit e fabrikës i rezistuan javëve të bombardimeve të pamëshirshme ruse përpara se të dorëzoheshin përfundimisht në maj.

Shtator 2022: Një kundërofensivë e ashpër ukrainase në Ukrainën lindore në shtator rimori në kontroll pjesë të mëdha të territorit dhe i detyroi trupat ruse të largoheshin nga rajoni i Kharkivit. Moska u përpoq ta përshkruante tërheqjen e nxituar si “rigrupim”. Por si një indikacion se sa keq po shkonin gjërat për Rusinë, ushtria u kritikua publikisht nga një numër besnikësh të profilit të lartë të Kremlinit, duke përfshirë udhëheqësin çeçen Ramzan Kadyrov, i cili furnizoi me mijëra luftëtarë në ofensivë. Pas një varg disfatash të turpshme në Ukrainë, Putin e shpalli mobilizimin e parë të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore më 21 shtator. Drafti i diskutueshëm provokoi protesta – një pamje e rrallë në Rusi – dhe një eksod ikjesh nga Rusia të njerëzve në moshë luftarake.

Tetor 2022: Në një tjetër goditje të madhe ndaj Moskës, ura e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë u dëmtua rëndë nga një shpërthim më 8 tetor. Ura rrugore dhe hekurudhore e ngushticës Kerç është edhe strategjikisht e rëndësishme dhe jashtëzakonisht simbolike. Promovimi i hapjes së kësaj ure u bë nga Putini në vitin 2018, katër vjet pasi Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina. Më 10 tetor, një fazë e re e luftës filloi kur Rusia nisi të parën nga disa valë të sulmeve me raketa në infrastrukturën kritike energjetike të Ukrainës. Duke përdorur raketa, predha artilerie dhe dronë të prodhuar nga Irani, Moska filloi t’i targetonte objektet e energjisë ukrainase, duke lënë zona të mëdha të vendit pa energji dhe ujë.

Nëntor 2022: Pas tetë muajsh pushtimi brutal rus, qyteti jugor Kherson u çlirua më 12 nëntor, duke shkaktuar skena festimi nga banorët. Tërheqja e nxituar e Rusisë nga bregu perëndimor i lumit Dnipro ishte një tjetër moment i zymtë për Moskën pasi Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas të cilin forcat ruse kishin futur nën kontroll. Vetë Putini e kishte shpallur zyrtarisht Khersonin si territor rus vetëm disa javë para tërheqjes së trupave të tij.

Dhjetor 2022: Më 21 dhjetor, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky udhëtoi në Uashington, DC për t’u takuar me Presidentin e SHBA Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe për t’iu drejtuar Kongresit të SHBA. Ishte një vizitë historike dhe me pasoja, udhëtimi i parë jashtë vendit që Zelensky kishte bërë që kur Rusia nisi pushtimin e saj. Përpara arritjes së Zelensky, administrata Biden njoftoi se po dërgonte gati 2 miliardë dollarë ndihmë shtesë për sigurinë në Ukrainë, duke përfshirë një sistem të ri të sofistikuar të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’.

Janar 2023: Pas disa javësh mosmarrveshjesh gjeopolitike, një moment i rëndësishëm erdhi më 25 janar, kur Gjermania njoftoi se do të siguronte tanke ‘Leopard 2’ për Ukrainën dhe do t’i lejonte vendet e tjera evropiane ta eksportonin tankun luftarak të prodhimit gjerman. Në të njëjtën kohë, Biden tha se SHBA do të dërgonte 31 tanke ‘M1 Abrams’ në Ukrainë.

Shkurt 2023: Biden bëri një vizitë befasuese dhe shumë simbolike në Kiev më 20 shkurt, e para e tij që nga pushtimi i plotë i Rusisë. Duke qëndruar përkrah Zelenskyt, presidenti amerikan kujtoi sesi dyshja folën me telefon ndërkohë që forcat ruse po futeshin në Ukrainë. “Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbët e tij. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron”, deklaroi Biden. “Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju.” Zelensky tha se vizita e Biden e solli Ukrainën “më afër fitores”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala