Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitareviç - Foto: Facebook

Kroatët zgjedhin sot presidentin e ri

Kroatët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale, të cilat mund të dobësojnë konservatorët në pushtet.

Për shkak të afërsisë së përqindjes së përkrahjes për kandidatët, mund të ketë një rreth të dytë votimi më 5 janar, raporton AFP.

Presidentes aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç, po i rrezikohet pozita nga ish-kryeministri socialdemokrat te kampi i majtë, ndërsa nga këngëtari popullist te kampi i djathtë.

Gruaja e parë që u bë presidente e vendit, 51-vjeçarja kishte marrë funksionet gjerësisht honorifike më 2015. Ajo po mbështetet nga HDZ (qendra e djathtë), e cila e dominon jetën politike që nga pavarësia më 1991.

Gjatë fushatës, presidentja e ka kaluar kohën sa te moderuarit e HDZ-së aq te krahu nacionalist i partisë së saj, i cili po ngashënjehet të votojë për folk-këngëtarin Miroslav Skoro.

Ky i fundit ka premtuar se do ta dërgojë ushtrinë në kufi për të penguar kalimin e migrantëve dhe se do ta falë një kriminel lufte.

Ndërsa, presidentja aktuale ka zgjedhur ta mbajë tubimin e fundit zgjedhor në Vukovar, qytet në kufi me Serbinë, i cili ka qenë arenë e një rrethimi vrastar nga forcat serbe në fillim të luftës së viteve 1991-1995, që u bë simbol i vuajtjes së kroatëve gjatë konfliktit.

Miroslav Skoros, i cili po prezantohet si i pavarur, i kreditohet pozita e tretë, me 18% të votave sipas një sondazhi të fundit, raporton AFP.

Me 24 për qind të përkrahjes, Kolinda Grabar-Kitaroviç është shumë afër me ish-kryeministrin socialdemokrat, Zoran Milanoviq.

Ky i fundit po llogarit në ndarjen e kampit konservator për të rritur epërsinë dhe premton ta bëjë Kroacinë një “vend normal” me një drejtësi të pavarur, e cila respekton pakicat.

Kundërshtarët e qeverisë aktuale të këtij vendi, shumica dërrmuese e popullatës e të cilit është katolike, e akuzojnë se ka organizuar zgjedhjet në prag të Krishtlindjeve për të përfituar votat e anëtarëve të diasporës, tradicionalisht pro-HDZ, të cilët kthehen për pushime.

Nga rreth 3.8 milionë votues, rreth 170 mijë jetojnë jashtë, sidomos në Bosnjë.

Kroacia sikur edhe vendet fqinje të Ballkanit po përballet me një eksod të banorëve, një fenomen që është përshpejtuar pas anëtarësimit të saj në BE më 2013.