Kroaci, arrestohet biznesmeni që bleu respiratorë nga një kompani kosovare, ishin të vjedhur në Suedi

Autoritetet kroate kanë penguar futjen në treg të disa respiratorëve, të cilët ishin vjedhur në Suedi.

Lidhur me rastin është arrestuar një biznesmen 25-vjeçar, avokati i të cilit ka thënë se respiratorët kompania e klientit të tij i ka blerë nga një kompani në Kosovë.

Siç raporton jutarnji.hr, respiratorët mjekësorë me vlerë 350,000 euro, janë vjedhur më 15 shkurt të këtij viti në Suedi.

24 respiratorët, të cilët biznesmeni ua ofroi për shitje institucioneve kroate, u zbulua se janë të vjedhur pas kontrollit të numrave serikë të tyre.

“Mund të konfirmoj që hetimet po kryhen kundër klientit tim për krimin e fshehjes. Besoj se kjo nuk është vepër penale sepse ai nuk kishte asnjë arsye të dyshonte në ligjshmërinë e mallrave që kompania e tij i bleu nga një kompani tjetër nga Kosova. Kishte një dokumentacion të vlefshëm për mallrat dhe respiratorët u ofroheshin përmes kanaleve ligjore institucioneve shtetërore. Nga asgjë nuk rezultoi se mallrat ishin vjedhur, sepse përndryshe ato nuk do të dorëzoheshin rregullisht në kompaninë e transportit të mallrave ose do të lidhej një kontratë”, tha avokati Rafael Kreshiq, i cili përfaqëson biznesmenin e ndaluar, raporton Jutarnji.hr.