Anja Shimpraga, zëvendëskryeministrja e re e Kroacisë | Foto: REL

Kroaci, Anja Shimpraga emërohet zëvendëskryeministre nga radhët e pakicës serbe

Parlamenti kroat me shumicë votash shprehu besimin që përfaqësuesja e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe (SDSS), Anja Shimpraga, të marrë postin e zëvendëskryeministres për Çështje Sociale.

Deri më tani atë pozitë e ka mbajtur Boris Millosheviq, po ashtu nga minoriteti serb.

“Ne duhet të miratojmë, dhe përgatitjet janë afër, Planin kombëtar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe luftimin e diskriminimit, duhet të miratojmë Planin kombëtar për barazi gjinore, duhet të punojmë për realizimin e konkluzës së Qeverisë për rivitalizimin e Gruborit në qarkun Shibenik-Knin, si dhe të zbatojmë programet operative për minoritetet që janë në programin e Qeverisë”, tha Anja Shimpraga për prioritetet e saj në postin e ri, pas votimit dhe betimit në Kuvend,

“Këtë dhe gjithçka tjetër që po bën Zyra e Zëvendëskryeministrit, unë do ta kryej detyrën dhe do të jap kontributin tim me vullnet e besim dhe ndershmëri”.

Për të votuan 77 deputetë të shumicës qeverisëse të HDZ-së, në të cilën SDSS-ja është partia e dytë më e madhe me tre deputetë, ndërkaq kundër ishin 51 deputetë të opozitës së majtë dhe të djathtë.

Kryeministri Andrej Plenkoviq, duke e prezantuar në Komision, tha se Anja Shimpraga është anëtarja e ardhshme më e re e Qeverisë, por me përvojë të pasur politike nga niveli lokal e deri në Parlament.

Ai tha se pret angazhim dhe kontribut të madh nga ajo për çështjet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, shtypjen e gjuhës së urrejtjes në përputhje me konceptin e Qeverisë, duke shprehur besimin se ajo do ta bëjë shumë mirë punën e zëvendëskryeministres.

Anja Shimpraga është e lindur më 23 korrik të vitit 1987, në Knin. Ajo ka magjistruar për agronomi në Fakultetin e Bujqësisë në Zagreb, është e martuar dhe jeton në fshatin Raduçiq afër Kninit./REL