Kroaci, 10 të vdekur e 45 të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot herët në mëngjes afër Sllavonski Brodit në Kroaci.

Autoritetet kroate kanë njoftuar se 10 persona kanë vdekur e 45 janë lënduar në aksidentin e një autobusi të një kompanie nga Kosova.

Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë.

Drejtuesit shtetërorë të Kroacisë kanë ngushëlluar autoritetet dhe popullin e Kosovës për viktimat e këtij aksidenti tragjik.

Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 6:20 afër Sllavonski Brodit.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti, të cilin autoritetet kroate e përshkruajnë si ndër më të rëndët në vendin e tyre.

Pas aksidentit, zyrtarët e Kroacisë kanë nisur kontaktet me zyrtarët e Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në drejtim të Kroacisë po niset ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ndërsa drejt vendit të ngjarjes është nisur ambasadori i Kosovës në Zagreb.