KRM ‘Pastërtia’ në Ferizaj largon nga puna kryesindikalistin Mexhid Ramusa, arsyeja - "greva e paligjshme"

Kompania Rajonale e Mbeturinave ‘Pastërtia’ në Ferizaj e ka shkëputur kontratën e punës me Mexhid Ramusën, i cili kishte pozitën ‘Kontroll Regjional i Terrenit’.

Në vendimin që ka parë KALLXO.com thuhet se vendimi erdhi për shkak të “grevës së paligjshme”.

Punëtorët e KRM ‘Pastërtia’ disa herë kanë protestuar dhe mbajtur grevë duke shprehur pakënaqësitë e tyre për kushtet e punës, përfshirë edhe pagën.

Ramusa në disa protesta dhe greva u ka prirë punëtorëve si kryetar i Shoqatës Sindikale ‘Qëndresa’.

Në vendim thuhet se Ramusa si organizator i grevës nuk ka bërë kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, nuk ka paralajmëruar grevën së paku 7 ditë para mbajtjes, nuk ka njoftuar punëdhënësin për arsyet dhe kërkesat e grevës si dhe ka ndërprerë tërësisht punën për 7 ditë duke mos u organizuar as minimumi i kërkuar me ligj.

Tutje thuhet se Ramusa si organizator i grevës ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve me përhapjen e ndonjë epidemie. Po ashtu, aty thuhet se Ramusa ka penguar punëtorët të dalin në punë.

Në vendim potencohet se ndalja e punës ka shkaktuar edhe dëme materiale.

Sipas këtij dokumenti, greva ka zgjatur nga 22.04.2024 deri më 29.04.2024.

Vendimi për zgjidhjen e kontratës është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i KRM ‘Pastërtia’ më 13.08.2024, në të cilin thuhet se ankesë mund të parashtrohet në Inspektoratin e Punës brenda 8 ditëve.

Më 02.05.2024, Ramusës i ishte shqiptuar masa “largim i përkohshëm nga puna’.

KALLXO.com ka kontaktuar me Mexhid Ramusën i cili ka thënë se do të ankohet ndaj këtij vendimi.

“Po, edhe kallëzim penal do të bëj sepse unë jam person juridik, jam përfaqësues sindikate. Ata krejt në personale e kanë bërë vendimin” – deklaroi Ramusa për KALLXO.com.

Ekipi i KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë edhe kryeshefin ekzekutiv të KRM ‘Pastërtia’, Basri Syla, për të vërtetuar vërtetësinë e vendimit pasi që ai nuk është bërë publik nga ndërmarrja, por ky i fundit nuk u përgjigj në thirrje dhe mesazhin e dërguar në telefon.

Suspendohet përkohësisht nga puna kryesindikalisti i KRM “Pastërtia” në Ferizaj

‘Pastërtia’ në grevë, Komuna e Ferizajt shpall gjendjen emergjente me mbeturinat