Boris Johnson - Foto:Boris Johnson Facebook

Krizë qeveritare në Britaninë e Madhe

Në shenjë proteste ndaj kryeministrit britanik, Boris Johnson dy ministra të rëndësishëm të kabinetit të tij dhanë dorëheqjen. Sa kohë mund të qëndrojë Johnson në këto kushte në post?

Britania e Madhe hyn në një krizë qeveritare. Ministri i Financave, Rishi Sunak dhe ai i Shëndetësisë, Sajid Javid kanë dorëzuar postet. Javid në dorëheqjen e tij shkruan, se ai “e ka të qartë, se situata nën drejtimin Tuaj nuk do të ndryshojë, dhe për këtë Ju keni humbur besimin tim”.

Nën kryeministrin Johnson, partia konservatore britanike nuk shihet më në opinion si parti e drejtuar nga vlerat, as se i shërben qëllimit kombëtar. Edhe pas votës së mosbesimit, që Boris Johnson e mbijetoi për pak, kryeministri nuk ka iniciuar një ndryshim të kursit, sipas Javid.

Ministri i Financave, Sunak është shprehur, se ai ka qenë gjithmonë luajal ndaj kryeministrit. “Por opinioni publik me të drejtë pret që qeveria të veprojë drejt, me kompetencë dhe me seriozitet.” Televizioni Sky News citoi një qeveritar, që nuk donte të përmendte emrin, se Johnson vështirë se mund të qëndrojë kështu në post. Ndërkohë kanë dhënë dorëheqjen edhe Sekretari i Shtetit për Familjen, Will Quince dhe deputetja Laura Trott, që kishte një post në Ministrinë e Transportit.

Edhe mnistrja e Rinisë, Victoria Atkins dha dorëheqjen. Pas largimit të Sunak, postin e ministrit të Financave do ta marrë ai i arsimit, Nadhim Zahawi. Së fundmi është konfirmuar se kreu i shtabit të Johnsonit, Steve Barclay do të jetë ministër i Shëndetësisë.

Johnson kërkon falje

Presioni ndaj kryeministrit britanik u rrit, sidomos pas skandalit seksual me një anëtar drejtues të grupit parlamentar konservator. Zëvendëskryetari ekzekutiv i Tory, Chris Pincher në fund të javës së kaluar dha dorëheqjen, pas ngacmimit seksual të dy burrave. Kryeministri Boris Johnson kërkoi falje në mbrëmje, dhe tha se vendosja e Chris Pincher në post ishte një gabim. Por ai nuk ka gënjyer për këtë rast, tha Johnson në një intervistë për BBC. Por më parë një zëdhënës i Johnsonit kishte pranuar, se kryeministri kishte dijeni që në vitin 2019 për fajësimet kundër kolegut të partisë, Chris Pincher.

Për të mërkurën është paralajmëruar seanca traditionale me pyetje ndaj kryeministrit para komitetit Liaison në Dhomën e Poshtme. Në këtë paraqitje kryeministri ka shumë pak mundësi t’iu ikë pyetjeve të pakëndshme. Prandaj seanca tradicionalisht përcaktohet si futje në “zgarë” e kryeministrit./DW