Ilustrim

Kriza ruso-ukrainase: Çfarë është NATO dhe pse Rusia nuk i beson asaj?

Aleanca ushtarake – e cila përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë – po e rrit gatishmërinë ushtarake dhe ndihmën për Ukrainën.

Çfarë është NATO?

NATO – Organizata e Traktatit Veriatlantik – është një aleancë ushtarake e formuar në vitin 1949 nga 12 shtete, duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe Francën.

Anëtarët e NATO-s janë rënë dakord t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një sulmi të armatosur kundër një shteti anëtar.

Qëllimi i kësaj aleance fillimisht ishte ta kundërshtonte kërcënimin e zgjerimit rus të pasluftës në Evropë.

Në vitin 1955 Rusia Sovjetike iu përgjigj NATO-s duke krijuar aleancën e saj ushtarake të vendeve komuniste të Evropës Lindore, të quajtur Pakti i Varshavës.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, një numër i vendeve të ish Traktatit të Varshavës u bënë anëtarë të NATO-s. Aleanca tani ka 30 anëtarë.

Cila është çështja aktuale e Rusisë me NATO-n dhe Ukrainën?

Ukraina është një ish-republikë sovjetike në kufi me Rusinë dhe BE-në.

Nuk është një anëtar i NATO-s, por është një “vend partner” – kjo do të thotë se ekziston një mirëkuptim që mund të lejohet të bashkohet me aleancën diku në të ardhmen.

Rusia kërkon garanci nga fuqitë perëndimore se kjo nuk do të ndodhë kurrë – diçka që Perëndimi nuk është i përgatitur të ofrojë.

Ukraina ka një popullsi të madhe ruse etnike dhe lidhje të ngushta sociale dhe kulturore me Rusinë. Strategjikisht, Kremlini e sheh atë si oborrin e shtëpisë së Rusisë.

Për çfarë tjetër shqetësohet Rusia?

Presidenti Putin pretendon se fuqitë perëndimore po e përdorin aleancën veriatlantike për ta rrethuar Rusinë dhe ai dëshiron që NATO t’i ndërpresë aktivitetet e saj ushtarake në Evropën Lindore.

Ai ka argumentuar prej kohësh se SHBA-ja i ka thyer garancitë që i ka dhanë në vitin 1990 se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

NATO hedh poshtë pretendimet e Rusisë dhe thotë se vetëm një numër i vogël i vendeve anëtare të saj ndajnë kufij me Rusinë dhe se ajo është një aleancë mbrojtëse.

Shumë besojnë se grumbullimi aktual i trupave ruse në kufirin ukrainas mund të jetë një përpjekje për ta detyruar Perëndimin të marrë seriozisht kërkesat e sigurisë së Rusisë.

Çfarë ka bërë NATO në të kaluarën për Rusinë dhe Ukrainën?

Kur ukrainasit e rrëzuan presidentin e tyre pro-rus në fillim të vitit 2014, Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës. Ai gjithashtu mbështeti separatistët pro-rusë që pushtuan zona të mëdha të Ukrainës lindore.

NATO nuk ndërhyri, por u përgjigj duke vendosur trupa në disa vende të Evropës Lindore për herë të parë.

NATO ka katër grupe luftarake shumëkombëshe me madhësi batalioni në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, dhe një brigadë shumëkombëshe në Rumani.

Ajo gjithashtu ka zgjeruar policimin e saj ajror në shtetet baltike dhe Evropën Lindore për të kapur çdo avion rus që shkel kufijtë e shteteve anëtare.

Rusia ka thënë se dëshiron që këto forca të largohen.

Çfarë zotimesh i ka dhënë NATO Ukrainës?

Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se Rusia do të paguajë një “çmim serioz dhe të shtrenjtë” për pushtimin.

SHBA ka vënë në gatishmëri 8,500 trupa të gatshme luftarake, por Pentagoni thotë se ato do të vendosen vetëm nëse NATO vendos të aktivizojë një forcë të reagimit të shpejtë.

Ai shtoi se nuk ka plane për t’i vendosur trupat në vetë Ukrainë.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka paralajmëruar se çdo përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak “do të rezultojë me një çmim të lartë për regjimin rus – ekonomik, politik dhe strategjik”.

Zyra e kryeministrit britanik ka thënë se Mbretëria e Bashkuar pajtohet se “aleatët duhet të ndërmarrin reagime të shpejta ndëshkuese, duke përfshirë një paketë të paprecedentë sanksionesh”.

A është NATO unike sa i përket Ukrainës?

Presidenti Biden ka thënë se ka “unanimitet të plotë” me liderët evropianë për Ukrainën, por ka pasur dallime në mbështetjen që kanë ofruar vende të ndryshme.

SHBA thotë se ka dërguar rreth 90 tonë “ndihmë vdekjeprurëse” duke përfshirë municion në Ukrainë për “mbrojtësit e vijës së parë”. Mbretëria e Bashkuar po e furnizon Ukrainën me raketa antitank me rreze të shkurtër veprimi.

Disa anëtarë të NATO-s, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Francën dhe Holandën, po dërgojnë avionë luftarakë dhe anije luftarake në Evropën Lindore për të forcuar mbrojtjen në rajon.

Megjithatë, Gjermania e ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për armë mbrojtëse, në përputhje me politikën e saj për të mos dërguar armë vdekjeprurëse në zonat e konfliktit. Në vend të kësaj do të dërgojë ndihmë mjekësore.

Presidenti francez Macron ndërkohë ka bërë thirrje për dialog me Rusinë për de-përshkallëzim të situatës./BBC