Kriza nga rriqrat, flet drejtori i Shëndetësisë në Malishevë

Me rritjen e temperaturave kanë filluar të paraqiten edhe rastet nga pickimi i rriqrave në komunën e Malishevës.

Para dy ditësh është shënuar vdekja e parë pas gjashtë viteve kur kjo komunë kishte shënuar rastin e fundit të vdekjes nga pickimi i rriqrave.

 

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Liridon Hoti në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se 44-vjeçari fillimisht kishe kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë, e nga aty ishte udhëzuar për në Klinikën Infektivë në QKUK.

Ai ka treguar se menjëherë pas rasteve të para të thumbimit nga ky insekt, Komuna ka aktivizuar shtabin emergjent dhe ka ndërmarr masa.

“Malisheva tash e sa vite përballet me ethet hemorragjike si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, me thumbimin e rasteve të para dhe njoftimit nga QKMF, pasi që tashmë kemi edhe rastet e para me thumbim komuna e thërret shtabin komunal për luftimin e etheve hemorragjike dhe i merr të gjitha masat. Njëra nga masat është dezinsektimi i vendeve më të rrezikuara, viteve të kaluara janë dhënë edhe ligjërata në shkolla për vetëdijesim por fatkeqësisht këtë vit nuk kanë periudhë nuk kanë qenë në shkollë. Kurse të tjerat organizime është bërë sikurse më parë”, deklaroi ai.

Hoti bëri të ditur se 822 raste janë shënuar vetëm në këtë vit.

“Çdo ditë marrim informacione nga QKMF këtu në Malishevë, deri tash kur po flasim janë 822 raste të pickimit gjatë këtij viti”, tha Hoti.

Hoti ka kërkuar nga qytetarët që në rastin e vërejtjes së pickimit menjëherë t’iu drejtohen institucionit shëndetësor e assesi mos të provojnë ta largojnë vet.

Gjithashtu ai ka këshilluar që personat që shkojnë në arat e tyre për të punuar të vishen gjatë dhe të kujdesen për higjienën e tyre.

Kërcënimi nga ethet hemorragjike në kohë pandemie, është një sfidë e dyfishtë për Malishevën, por që Hoti thotë se po ia dalin të i menaxhojnë të dyja.

“Për Malishevën po bëhen dy sfida, përveç etheve hemorragjike që çdo vit ballafaqohemi më të e që kërkon përkushtim maksimal, qoftë i kryetarit të Komunës apo edhe shtabit lokal dhe të gjitha QKMF-se dhe organet të tjera. Pa dyshim që edhe pandemia është një sfidë por besoj që jemi duke e bërë një punë të mirë për të ia dal me të dy sfidat”, u shpreh drejtori.