Policia ukrainase - Foto: REL

Kriza në Ukrainë: Tensionet po rriten në kufirin ruso-ukrainas

Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë ndër vite, me trupa të shumta ruse të grumbulluara pranë kufijve të dy vendeve duke nxitur frikën se Moska mund të nisë pushtimin e Ukrainës në çdo kohë tani.

Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet ta destabilizojë vendin përpara çdo pushtimi të planifikuar ushtarak. Fuqitë perëndimore e kanë paralajmëruar vazhdimisht Rusinë kundër lëvizjeve të mëtejshme agresive kundër Ukrainës.

Kremlini mohon se po planifikon ndonjë sulm duke argumentuar se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë rritjen e furnizimeve me armë dhe trajnimin ushtarak, përbën një kërcënim në rritje në krahun perëndimor të Rusisë.

Si është situata në kufi?

Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë përshkruar lëvizjet dhe përqendrimet e trupave ruse në dhe rreth Ukrainës si “të pazakonta”.

Rreth 100,000 trupa ruse kanë mbetur të grumbulluara në kufirin ukrainas, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti amerikan Joe Biden dhe liderët evropianë për pasoja të rënda nëse Putin lëviz përpara me një pushtim. Ndërkohë, të gjeturat e inteligjencës amerikane në dhjetor vlerësuan se Rusia mund të fillojë një ofensivë ushtarake në Ukrainë “që në fillim të vitit 2022”.

Duke folur së bashku me homologun e tij ukrainas më 19 janar, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Rusia kishte “rritur kërcënimet e saj dhe kishte grumbulluar rreth 100,000 forca në kufirin e Ukrainës, të cilat mund  të dyfishoheshin me një urdhër relativisht të shkurtër”.

Në fund të vitit 2021, fotografitë satelitore zbuluan pajisje ruse – përfshirë armë vetëlëvizëse, tanke luftarake dhe automjete luftarake të këmbësorisë – në lëvizje në një terren trajnimi afërsisht 300 km nga kufiri.

Vlerësimi i fundit i inteligjencës i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës thotë se Rusia tani ka vendosur më shumë se 127,000 trupa pranë Ukrainës, duke përfshirë forcat ajrore dhe detare, ka transferuar më shumë raketa operative-taktike Iskander në kufi dhe ka rritur aktivitetin e saj të inteligjencës kundër vendit.

Ky vlerësim u bë pasi tri raunde bisedimesh diplomatike midis Rusisë dhe Perëndimit që synonin de-përshkallëzimin e krizës nuk arritën të jepnin një rezultat pozitiv.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se një pushtim rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo moment në dy muajt e ardhshëm.

Shumë nga bazat ushtarake të Rusisë janë në perëndim të vendit të gjerë – drejtimi nga i cili historia sugjeron se çdo kërcënim ka më shumë gjasa të vijë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më 1 dhjetor se kishte filluar stërvitjet ushtarake “të rregullta” dimërore në rajonin e saj jugor, pjesë të të cilit kufizohen me Ukrainën. Stërvitjet përfshijnë më shumë se 10,000 trupa, tha ministria.

Ndërkohë, rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk në kufi me Rusinë, një zonë e njohur si Donbas, kanë qenë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014. Forcat ruse janë gjithashtu të pranishme në zonë, të cilësuara nga Ukraina si “territore të pushtuara përkohësisht” edhe pse Rusia e mohon këtë.

Vijat e para të konfliktit mezi kanë lëvizur në pesë vjet, por ka përplasje të shpeshta në shkallë të vogël dhe sulme me snajper. Rusia shfaqi zemërim kur forcat ukrainase vendosën një dron luftarak të prodhimit turk për herë të parë në tetor për ta goditur një pozicion të mbajtur nga separatistët pro-rusë.

Rusia gjithashtu ka forca që numërojnë dhjetëra mijëra në bazën e saj masive detare në Krime, territor ukrainas të cilin ajo e aneksoi në vitin 2014. Gadishulli i Krimesë, i cili shtrihet në jug të pjesës tjetër të Ukrainës, tani është i lidhur me një urë rrugore me kontinentin, Rusinë.

Cila është historia e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë?

Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë, të dyja ish-shtete sovjetike, u përshkallëzuan në fund të vitit 2013 lidhur me një marrëveshje historike dhe tregtare me Bashkimin Evropian. Pasi presidenti i atëhershëm pro-rus, Viktor Janukoviq, i pezulloi bisedimet – thuhet se nën presionin e Moskës – javë protestash të dhunshme shpërthyen në kryeqytein ukrainas Kiev pastaj.

Më pas, në mars të vitit 2014, Rusia aneksoi Krimenë, një gadishull autonom në Ukrainën jugore me besnikëri të fortë ruse, me pretekstin se po mbronte interesat e saj dhe të qytetarëve rusishtfolës. Së pari, mijëra trupa rusisht-folëse, të quajtura “burrat e vegjël të gjelbër” dhe më vonë të pranuar nga Moska si ushtarë rusë, u derdhën në gadishullin e Krimesë. Brenda pak ditësh, Rusia përfundoi aneksimin e saj në një referendum që u kritikua nga Ukraina dhe shumica e botës si i paligjshëm.

Menjëherë pas kësaj, separatistët pro-rusë në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës shpallën pavarësinë e tyre nga Kievi, duke shkaktuar muaj të tërë luftimesh të ashpra. Pavarësisht se Kievi dhe Moska nënshkruan një marrëveshje paqeje në Minsk në vitin 2015, të ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania, që nga atëherë ka pasur shkelje të përsëritura të armëpushimit.

Sipas shifrave të OKB-së, ka pasur më shumë se 3,000 vdekje civile të lidhura me konfliktin në Ukrainën lindore që nga marsi i vitit 2014.

Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë vendosur një sërë masash si reagim ndaj veprimeve të Rusisë në Krime dhe Ukrainën lindore, duke përfshirë sanksione ekonomike që synojnë individë, subjekte dhe sektorë të veçantë të ekonomisë ruse.

Kremlini e akuzon Ukrainën për nxitje të tensioneve në lindje të vendit dhe për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të Minskut.

Cili është këndvështrimi i Rusisë?

Kremlini ka mohuar vazhdimisht se Rusia ka në plan ta pushtojë Ukrainën, duke këmbëngulur se Rusia nuk përbën kërcënim për askënd dhe se një shtet i cili i lëviz trupat nëpër territorin e tij nuk duhet të jetë shkak për alarm.

Moska e sheh mbështetjen në rritje të NATO-s për Ukrainën, në aspektin e armatimit, trajnimit dhe personelit, si një kërcënim për sigurinë e saj. Ajo gjithashtu ka akuzuar Ukrainën për rritjen e numrit të trupave të saj në përgatitje për një përpjekje për të rimarrë rajonin e Donbasit, një akuzë që Ukraina e ka mohuar.

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë thirrje për një marrëveshje specifike ligjore që do të përjashtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes drejt kufijve të Rusisë, duke thënë se Perëndimi nuk i ka përmbushur garancitë e mëparshme të dhëna verbalisht.

Putin ka thënë gjithashtu se vendosja e armëve të sofistikuara të NATO-s në Ukrainë, siç janë sistemet raketore, do të nënkuptonte tejkalimin e një “vijë të kuqe” për Rusinë, mes shqetësimeve në Moskë se Ukraina po armatoset gjithnjë e më shumë nga fuqitë e NATO-s.

“Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në nëntor se armët dhe këshilltarët ushtarakë po furnizoheshin tashmë në Ukrainë nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s. Dhe e gjithë kjo, natyrisht, çon në një përkeqësim të mëtejshëm të situatës në vijën kufitare”, tha ai.

Nëse SHBA dhe aleatët e saj në NATO nuk e ndryshojnë kursin e tyre në Ukrainë, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar se Moska ka “të drejtën të zgjedhë mënyra për të garantuar interesat e saj legjitime të sigurisë”.

Cili është këndvështrimi i Ukrainës?

Qeveria e Ukrainës këmbëngul se Moska nuk mund ta pengojë Kievin të ndërtojë ura bashkëpunimi më të ngushta me NATO-n, nëse dëshiron.

“Rusia nuk mund ta ndalojë Ukrainën të afrohet me NATO-n dhe nuk ka të drejtë të ketë ndonjë fjalë në diskutimet përkatëse”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë për CNN, në përgjigje të thirrjeve ruse që NATO ta ndalojë zgjerimin e saj drejt lindjes.

“Çdo propozim rus për ta diskutuar me NATO-n ose SHBA-në çdo të ashtuquajtur garanci që Aleanca nuk do të zgjerohet në Lindje është e paligjshme”, shtoi ai.

Ukraina këmbëngul se Rusia po kërkon ta destabilizojë vendin me presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky, i cili kohët e fundit tha se ishte zbuluar një komplot grusht shteti, ku përfshiheshin ukrainas dhe rusë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba paralajmëroi se një grushtshteti i planifikuar mund të jetë pjesë e planit të Rusisë përpara një pushtimi ushtarak. “Presioni i jashtëm ushtarak shkon paralelisht me destabilizimin e brendshëm të vendit,” tha ai.

Tensionet midis dy vendeve janë përkeqësuar nga një krizë e thelluar energjetike në Ukrainë, të cilën Kievi beson se Moska e ka provokuar qëllimisht.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Zelensky përballet me sfida në shumë fronte. Popullariteti i qeverisë ka ngecur mes sfidave të shumta politike të brendshme, duke përfshirë një valë të tretë të fundit të infeksioneve Covid-19 dhe një ekonomi që po përballet me vështirësi.

Shumë njerëz janë gjithashtu të pakënaqur që qeveria nuk i ka përmbushur ende përfitimet që i ka premtuar dhe nuk i ka dhënë fund konfliktit në lindje të vendit. Protestat antiqeveritare janë zhvilluar në Kiev.

Çfarë thotë NATO-ja?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “Rusia do ta paguajë një çmim të lartë” nëse ajo pushton edhe një herë Ukrainën, një partner i NATO-s.

“Ne kemi një gamë të gjerë opsionesh: sanksione ekonomike, sanksione financiare, kufizime politike,” tha Stoltenberg, në një intervistë të 1 dhjetorit dhënë për CNN.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2014, NATO rriti mbrojtjen e saj “me grupe luftarake të gatshme në pjesën lindore të aleancës, në vendet baltike, në Letoni … por edhe në rajonin e Detit të Zi”, tha Stoltenberg.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe për këtë arsye nuk i ka të njëjtat garanci të sigurisë sikurse anëtarët e NATO-s.

Por Stoltenberg e ka lënë mundësinë që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s, duke thënë se Rusia nuk ka të drejtë t’i thotë Ukrainës se nuk mund ta ndjekë anëtarësimin në NATO.

NATO ishte vendosur të zhvillonte bisedime të vështira me Rusinë më 12 janar në Gjenevë, pas diskutimeve me diplomatë nga Ukraina dhe SHBA, në një përpjekje për ta shmangur një pushtim.

Stoltenberg tha më 10 janar se Moska kishte ende “dhjetëra mijëra trupa të gatshme luftarake” të mbyllura kufirin me Ukrainën, megjithatë e mirëpriti gatishmërinë e Kremlinit për t’u takuar.

Çfarë thonë SHBA-të?

Përmes një telefonate të zhvilluar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në janar të vitit 2022, Presidenti Biden ka deklaruar se SHBA dhe aleatët e saj “do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”.

Këtë bisedë telefonike e zhvilluan disa ditë pasi Biden i kërkoi Putinit ta lehtësonte krizën në kufi, dhe përpara se zyrtarët rusë dhe amerikanë të takohen personalisht në Gjenevë më vonë këtë muaj.

Dy zyrtarë të mbrojtjes i thanë CNN më 3 janar se Departamenti i Mbrojtjes ka zhvilluar opsione ushtarake për Biden nëse ai vendos t‘i rrisë aftësitë në Evropën Lindore për ta penguar më tej agresionin e mundshëm rus kundër Ukrainës. Të dy zyrtarët theksuan se këtë pjesë të planifikimit rutinë e bën ushtria dhe se për momentin fokusi mbetet te diplomacia dhe sanksionet e mundshme ekonomike.

Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, ëendy Sherman dhe zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov zhvilluan takime në Gjenevë më 10 janar, teksa SHBA-ja kërkonte taë de-përshkallëzonte kërcënimin e një avancimi rus.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken e ka paralajmëruar gjithashtu Rusinë se “çdo agresion i rinovuar mund të shkaktojë pasoja të rënda”.

Shtetet e Bashkuara i dhanë Ukrainës rreth 450 milionë dollarë ndihmë sigurie në vitin 2021, tha Pentagoni, duke përfshirë një paketë armësh të vogla dhe municionesh në muajin dhjetor. Administrata Biden gjithashtu e ka peshuar dërgimin e këshilltarëve ushtarakë dhe pajisjeve të reja, duke përfshirë armatim më të konsiderueshëm, në Ukrainë për t’u përgatitur për një pushtim të mundshëm, thanë burime të njohura me diskutimet për CNN në nëntor.

Administrata e Obamës u befasua kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014 dhe mbështeti një kryengritje në rajonin Donbas të Ukrainës lindore. Zyrtarët amerikanë thonë se janë të vendosur të mos zihen në befasi nga një tjetër operacion ushtarak rus.

“Shqetësimi ynë është se Rusia mund ta bëjë një gabim serioz duke u përpjekur ta ripërsërisë atë që e ndërmori në vitin 2014 kur grumbulloi forca përgjatë kufirit, kaloi në territorin sovran të Ukrainës dhe e bëri këtë duke pretenduar rrejshëm se ishte provokuar,” tha Blinken në muajin nëntor. 

Cilët faktorë tjerë janë në lojë?

Trazirat në ish-shtetin sovjetik të Kazakistanit ishin një lajm i padëshiruar për Putinin në fillim të vitit 2022.

Protestat vdekjeprurëse në fillim të janarit rezultuan me dorëheqjen e qeverisë së Kazakistanit, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe dislokimin e trupave nga një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia për të ndihmuar në frenimin e trazirave.

Mirëpo ekspertët kanë paralajmëruar se ndërhyrja e Rusisë nuk ka gjasa të jetë fundi i historisë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se “kur rusët futen në shtëpinë tuaj, ndonjëherë është shumë e vështirë t’i detyrosh ata të largohen”.

Një çështje tjetër ka të bëjë me furnizimin me energji. Ukraina e sheh tubacionin e diskutueshëm Nord Stream 2, që i lidh furnizimet me gazin rus drejtpërdrejt me Gjermaninë, si një kërcënim për sigurinë e saj.

Nord Stream 2 është një nga dy tubacionet që Rusia i ka vendosur nën ujë në Detin Baltik, përveç rrjetit të saj tradicional të tubacioneve me bazë tokësore që kalon nëpër Evropën Lindore, duke përfshirë Ukrainën.

Kievi i sheh tubacionet nëpër Ukrainë si një element mbrojtjeje kundër një pushtimi nga Rusia, pasi çdo veprim ushtarak mund ta prishë rrjedhën jetike të gazit në Evropë.

Analistët dhe ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se Nord Stream 2 do të rrisë varësinë evropiane nga gazi rus dhe mund t’i mundësojë Moskës të synojë në mënyrë selektive vende si Ukraina me ndërprerje të energjisë, pa ndërprerje më të gjerë të furnizimeve evropiane. Anashkalimi i vendeve të Evropës Lindore do të thotë gjithashtu se ato vende do të privohen nga tarifat fitimprurëse të tranzitit që Rusia, përndryshe, do t’i paguante.

Në maj të vitit 2021, administrata Biden hoqi dorë nga sanksionet ndaj kompanisë që qëndron pas Nord Stream 2, duke i dhënë asaj në fakt dritën jeshile. Zyrtarët amerikanë thonë se masa ishte në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së, pasi ajo kërkonte t’i rindërtonte marrëdhëniet e dëmtuara me Gjermaninë.

Në muajin nëntor, SHBA vendosi sanksione të reja ndaj një entiteti të lidhur me Rusinë dhe një anije të lidhur me Nord Stream 2. Disa senatorë amerikanë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve të mëtejshme për ta parandaluar Rusinë që ta përdorë tubacionin si armë; Ukraina gjithashtu ka kërkuar masa më të ashpra./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala