Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kriza në QKUK, pacientëve me kancer u mungojnë citostatikët

Në Klinikën e Onkologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka mungesë të citostatikëve tash e disa ditë.

Kjo mungesë është shkaktuar për shkak të mungesës së buxhetit për vitin 2022.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka deklaruar për KALLXO.com se mungojnë disa lloje të citostatikëve e që në tërësi ky grup përmban 58 lloje.

“Disa mungojnë, kemi mungesë qe disa ditë, por është mungesa e buxhetit e nuk na kanë sjellë prej barnatores. Është mungesa këtë javë dhe për shkak të mos-alokimit të buxhetit. Kanë filluar sot të na sjellin disa e na kanë thënë që në këto ditë na sjellin edhe disa. Ne jemi ende me barna të vitit të kaluar dhe jo është shkaktuar për shkak të buxhetit 2022”, ka thënë Kurtishi.

Citostatikët përdoren për mjekimin e tumoreve të ndryshme malinje (karcinome, limfome, leukemi). Terapia citostatike përdoret me qëllim që të arrihet shërim i sëmundjes malinje dhe kombinohet me metoda tjera të mjekimit (me trajtimin kirurgjik dhe trajtimin jonizuesradioterapi).

Këto ilaçe janë pjesë e listës esenciale të barnave dhe kushtojnë shumë shtrenjtë.

Sipas ligjit, barnat e listës esenciale të barnave duhet t’u jepen të gjithë qytetarëve që kanë nevojë dhe është e drejtë e garantuar.

Përmes Listës Esenciale të Barnave, MSh duhet të furnizojë Institucionet Shëndetësore me citostatikë, barna dhe material medicinal.

Qeveria Kurti 1 në muajin mars kishte premtuar se do ta rrisë buxhetin e shëndetësisë në 50 milionë për blerjen e pajisjeve mjekësore si dhe do ta rrisë buxhetin për të siguruar furnizim 100% me barna esenciale.