Kriza në Postën e Kosovës, takohen ministra e drejtues të ndërmarrjes

 

Një ditë pasi iu bllokuan xhirollogaritë e Postës së Kosovës nga ana e Administratës së Kosovës, në emër të borxheve të papaguara, zyrtarë të lartë të Postës së Kosovës, Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm, Mentor Arifaj, U. D. Kryeshefi Ekzekutiv, Salih Morina me U. D. Zyrtari Kryesor Financiar dhe i Thesarit, Enver Govori, takuan ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami dhe drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

“Në këtë takim të përbashkët, ata biseduan format për gjetjen e mundësisë reale të kryerjes së obligimeve financiare të Postës së Kosovës ndaj ATK-së, përmes një riprogramimi të borxhit, që do të nënkuptonte edhe zhbllokimin e menjëhershëm të xhirollogarive bankare”, ka njoftuar Posta e Kosovës.

“Gjithashtu, dy zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, së bashku me përfaqësuesin e Sindikatës së Punonjësve, Bujar Shala u takuan edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, me të cilin bashkëbiseduan rreth funksionimit të ndërmarrjes, për problemet dhe sfidat e ballafaqimit të saj gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të kërkohet përkrahje nga Qeverisa e Kosovës si aksionar i Postës së Kosovës, e cila përgjatë kësaj kohe ka probleme të mëdha financiare, me rënien e të hyrave për shkak të pandemisë, rritja e borxhit ndaj ATK-së, e cila pati bllokuar dje llogaritë bankare Postës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Ata shfaqën brengat e tyre, që Posta e Kosovës po humbë financiarisht nga Shërbimi Universal Postar që po e kryen rregullisht si detyrim ligjor që ka, ndërsa nuk po rimbursohet nga Qeveria e Kosovës. Për këtë deponuan edhe kërkesën me shkrim për kthim të borxhit të Qeverisë në vlerë rreth  5 milion euro, për të garantuar operacionalitetin dhe funksionalitetin e ndërmarrjes. Këto takime ishin mjaft miqësore që rezultuan me konfirmimin sot pasdite të zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës, ndërsa mbetet të shpresojmë edhe në realizimin e premtimeve të dy ministrave në përkrahjen e Postës së Kosovës në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, përfundon njoftimi.

Sot gjatë ditë Postës së Kosovës i janë zhbllokuar xhirollogaritë nga ana e ATK-së.