Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kriza në emergjenca, mungesa e pajisjeve dhe zjarrfikësve, drejtori raporton në Kuvend

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Fadil Kodra ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë duke prezantuar raportin e punës të AME-së.

Bashkë me Drejtorin e AME-së, i pranishëm ka qenë edhe drejtori i departamentit emergjent, Hajriz Sedjiu.

Sejidu para deputetëve ka treguar për sfidat që i kanë pasur në vitin 2001. Ai ka folur edhe për numrin e vogël të zjarrfikësve dhe moshën e tyre mesatare në nivel vendi.

“Aktualisht janë 794 zjarrfikës në nivel vendi. Mosha mesatare e tyre është 51 vjet. Kemi nevojë edhe për 418 pjesëtarë zjarrfikës, që janë në mungesë”, tha në mes tjerash Sejdiu.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha që është edhe kryesues i komisionit tha se ka pasur disa kërkesa nga sindikata e zjarrfikës të cilat ia kanë dërguar edhe komisionit.

Berisha tha se sindikata ka kërkuar që të ketë ngritje të koeficientit të rrogës, pagesa për ndërrimin e natës, pagesa jashtë orarit të punës dhe për feta zyrtare.

Fadil Kodra drejtor i përgjithshëm i AME-së tha se s’ka kuptim që nga zjarrfikësit dikush të paguhet me pak e dikush më shumë për punën e njëjtë që bëjnë.

“Ne ju kemi drejtu qeverisë për rregullimin e statusit të zjarrfikësve. Kërkesa ka qenë e vazhdueshme”, tha ai.

Deputeti i PDK-së ka mbështetur kërkesat e sindikatës së zjarrfikësve.

“Keni me pas mbështetjen 100 për qind. Kërkesat e sindikatës janë të rëndësishme të trajtohen shpejtë. Moshën mesatare kam mendu që e keni rregullu. Nëse është mosha 51 vjet është për shqetësim.  Ta bëjmë një vizitë në njërën nga brigadat e zjarrfikësve”, tha ai.

Kodra tha se mosha mesatare e zjarrfikësve do të duhej të ishte 30 vjeç, dhe nëse do të duhej të kishte pension të parakohshëm.

“Shteti duhet të mendoj për kontributin e tyre dhe pension të dinjitetshëm. E jo pensione çfarë janë mos të themi sociale”, tha në mes tjerash Kodra.

KALLXO Pernime në fillim të këtij muaji ka raportuar për rrezikun e madh në të cilën gjenden pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës e në masë të madhe qyteti i Prishtinës.

Në qendrën e zjarrfikësve të Prishtinës, sic ka raportuar KALLXO.com nuk është punësuar asnjë zjarrfikës që 17 vjet.

KALLXO.com kishte raportuar për mungesën e madhe të numrit të zjarrfikësve, moshën mesatar të zjarrfikësve që është shumë e lartë, mungesa e pajisjeve për reagim emergjent e dallime të mëdha në paga.

Problemi qëndron te fakti që me rekrutimin e stafit të zjarrfikësve merret Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ndërsa pagat e tyre i mbulojnë komunat me buxhetin e tyre.

Në rast se Komunat nuk garantojnë buxhet për zjarrfikësit, AME nuk nis proces të rekrutimit të stafit të ri.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kishte deklaruar në Kallxo Pernime se pozita e zjarrfikësve do të rregullohet me ligj dhe kjo çështje do të zgjidhet.

Më poshtë mund ta shikoni emisionin e plotë të KALLXO.com

Kriza në emergjenca – LIVE