Ilustrim

‘Kriza’ me ujë të pijes në Vushtrri, KRU 'Mitrovica' pretendon se po bëhen keqpërdorime

Ditëve të fundit qytetarët vushtrrias janë përballur me mungesë të theksuar të ujit të pijes. Kjo sipas zyrtarëve komunal dhe kompanisë, ‘KRU’ Mitrovica si shkak i keqpërdorimit të ujit nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

Kryeshefi i ndërmarrjes, ‘KRU’ Mitrovica, Bashkim Kurti në një konferencë për media tha se arsyeja kryesore e mos-furnizimit me ujë janë këto keqpërdorime.

Ai tha se në një rast kanë gjetur që një qytetar të gjithë sistemin e ujitjes në kopshtin e tij e ka pasur të kyçur në sistemin e ujësjellësit.

“Keqpërdorimet janë të skajshme dhe po na shkaktojnë telashe në furnizim. Arsyeja kryesore e ndërprerjes së ujit janë keqpërdorimet. Dënimet për këtë vepër mund të shkojnë deri në tre vite burigm. Gjatë vizitës dje në teren një qytetar në fshatin Shtitaric komplet sistemin e ujitjes për pisha e bredha e ka pasur nga uji i ujësjellësit, kjo përderisa qytetarët nuk kanë ujë me pi e mu pastru”, tha ai.

Kurti tha se do të shqyrtohet mundësia e shkyçjes së disa fshatrave nga sistemi i ujësjellësit për shkak të keqpërdorimeve.

“Nëpër fshatra kanë zgjidhje tjera të furnizimit me ujë. Potencialisht në disa fshatra  do të duhemi t’i shkyçim për shkak të keqpërdorimeve”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi u bëri apel qytetarëve për shpenzim racional të ujit të pijes.

“Ditët  e fundit kanë qenë shumë të rënda dhe qytetarët kanë pas shumë ankesa sa i përket furnizimit me ujësjellës. Unë u kisha bërë thirrje qytetarëve që ta ndërpresin ujitjen e tokave, kopshtit apo pemëve me ujë të pijes”, tha ai.