Ilustrim

Kriza me COVID-19, ka vetëm edhe 130 shtretër të lirë për pacientët

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se Kosova aktualisht ka vetëm 700 shtretër të dedikuar për pacientët me COVID-19 në të gjithë vendin.

Sipas Hotit, sot janë të shtrirë 570 pacientë me COVID-19 në QKUK dhe Spitalet Regjionale.

Ai ka apeluar të qytetarët që të mbajnë maskën, distancën dhe të kujdesen për higjienën personale në mënyrë që të mos vije dita “kur nuk do të kemi ku t’i shtrijmë pacientët me COVID-19”.

“Ne po punojmë që t’i rrisim kapacitetet spitalore në mënyrë që të parandalojmë situatën kur nuk mund të kemi vende që të shtrijmë pacientët që kanë nevojë. Në kohën kur po flasim janë 570 qytetarë të shtrirë ne Qendrat Klinike ndërkohë që ne kemi 700 shtretër në dispozicion, nuk kemi më shumë e tash duhet të mendojmë për riorganizim komplet të disa klinikave në mënyrë që të krijohet hapësirë. Ndërkohë po punojmë edhe me spitalet private”, është deklaruar Hoti.

Sipas Hotit, Qeveria është duke punuar në riorganizimin e klinikave në QKUK dhe Spitalet tjera, ndërsa po punojnë që të krijojnë kapacitete edhe në spitalet private.

Hoti tutje tha se është shqetësuese mosrespektimi i masave.

Gjithashtu Hoti tha se do të merren masa për të gjithë personat përgjegjës që nuk kanë respektuar vendimet e Qeverisë.

Sipas Hotit në rastet e fundit kur janë organizuar aktivitete sportive e protesta nuk ka qenë e kënaqshme puna e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Sanitar.

“Pas vlerësimeve që bëmë së bashku që janë tri instrumente që na ruajnë të gjithëve. Mbajtja e detyrueshme e maskës, distancës fizike dhe higjiena personale, vetëm këto tri masa e ruajnë jetën e qytetareve derisa të dalë vaksina. Ne e kemi fuqizuar Inspektoratin edhe me staf shtesë dhe ata do të kujdesen që qytetarët që të mbajnë maskën dhe distancën fizike. Në këtë drejtim Inspektorati dhe Policia duhet të bëjnë punën e tyre për të ju dhënë të gjitha kompetencat. Jemi të shqetësuar për mosrespektimin e masave në disa raste dhe mos angazhimin e nevojshëm të Inspektoratit dhe Policisë në këto raste konkrete, kemi pasur aktivitete sportive në masë dhe pa i respektuar masat e Qeverisë, ka pasur edhe protesta në Prishtinë pa kërkuar leje, kjo është e patolerueshme. Të gjithë personat përgjegjës të institucioneve komanduese të institucioneve përkatëse, duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektim të vendimeve të Qeverisë”, u deklarua Hoti.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 555 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 237 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 6,917 raste nga 33,844 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 169 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 139 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3,753 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2,995.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 71 raste, komuna Gjakovë 27 raste, komuna Mitrovicë 24 raste, komuna Gjilan 16 raste, komuna Ferizaj 16 raste, komuna Fushë Kosovë 11 raste, komuna Podujevë 9 raste, komuna Pejë 8 raste, komuna Vushtrri 8 raste, komuna Viti 7 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Drenas 5 raste, komuna Deçan 4 raste, komuna Kamenicë 3 raste, komuna Lipjan 3 raste, komuna Obiliq 3 raste, komuna Malishevë 3 raste, komuna Rahovec 2 raste dhe nga 1 rast komunat: Dragash, Prizren, Kaçanik, Shtime dhe Suharekë.