Kriza energjetike, rritet kërkesa e bizneseve për prodhim të energjisë me vet-konsum

Kriza energjetike dhe fillimi i reduktimeve ka ndikuar që bizneset në Kosovë të rritin kërkesën për prodhim të energjisë me vet-konsum. Kjo do të thotë pavarësimin nga furnizimi me energji nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO.

Rreth 20 kërkesa për marrje të autorizimit për vet-konsum do të shqyrtohen në mbledhjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e cila do të mbahet të hënën, më 5 shtator.

 

Që nga mesi i gushtit qytetarët janë ballafaquar me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) kishte njoftuar se furnizimi me energji elektrike do të bëhët vetëm nga prodhimi vendor pasi nuk kanë mundësi të importojnë nga jashtë.

Kosova është përballur me krizë energjetike që nga viti i kaluar, për shkak të së cilës Zyra e Rregullatorit të Energjisë në shkurt të këtij viti kishte miratuar tarifat e reja të energjisë.

Sipas këtij vendimi, tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së kishte vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Pas këtij vendimi Qeveria e Kosovës ishte zotuar për ndarjen e 90 milionë euro si subvencion duke pasur parasysh rritjen enorme të çmimeve të importit.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shumë vende tashmë kanë shpallur krizën energjetike duke përfshirë edhe Kosovën.