Kriza energjetike, KEK: Blloku B2 i TC "Kosova B" nuk pritet të kthehet në operim para 20 janarit

Ushtruesi i detyrës së kryshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu, ka thënë se konsumi i energjisë ka shënuar rritje enorme, derisa dallimi mes konsumit dhe prodhimit është shumë i lartë.

“Jemi në një situatë që ka nevojë për kujdes, konsumi ka shënuar rritje enorme, dhe në këtë moment diferenca në mes në prodhimit dhe konsumit është jashtezakonisht e lartë. Kohëve te fundit devijimet kanë shkuar deri në 500 megavatë dhe ne jemi detyruar që të marrim veprime të cilat janë duke i bërë të gjitha vendet”, tha ai.

Ai shtoi se plani i reduktimit ka qenë i tillë që të mos i penalizojë shumë konsumatorët.

“Plani i reduktimit ka qenë i tillë që të mos i penalizojë edhe konsumatorët shumë. Konsumi në raport me vitin 2020 është 10 për qind më i lartë, por çmimi i ulët i energjisë ka ndikuar që konsumatorët ta përdorin për ngrohje”, shtoi Kadriu.

Derisa, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se te termocentrali “Kosova B” vetëm blloku B1 është në operim, derisa për bllokun B2 presin ta kthejnë në operim nga data 20 janar.

“Blloku B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze dhe jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojmë ekspertin e tyre dhe ne presim që të dielën ai ekspert të jetë në KEK ku do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve. Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi.