Kriza ekonomike nga pandemia, gazeta britanike “The Guardian” mbyll 180 vende pune

Shoku ekonomik i shkaktuar nga pandemia e COVID-19 nuk po i kursen as mediat.

Gazeta britanike “The Guardian” ka njoftuar sot se do të mbyllë deri në 180 vende pune. 70 prej tyre do të jenë gazetarë, raporton “Le Monde”.

“Ky ristrukturim mund të prekë deri në 180 poste – 110 në shërbimet tregtare, publicitare dhe të marketingut dhe 70 në redaksi”, ka njoftuar gazeta në faqen e saj të internetit.

Sipas kryeredaktores Katharine Viner dhe Annette Thomas, drejtoreshë e përgjithshme e Guardian Media Group, kompania botuese e gazetës, pandemia ka çuar në “perspektiva të paqëndrueshme financiare”, që përkthehet në mbi 27,6 milionë euro të hyra më pak në planin vjetor.

“The Guardian” është media e fundit që ristrukturohet për shkak të pandemisë, e cila ka rezultuar me rënie të shitjeve fizike dhe të të ardhurave nga reklamat.

Më 7 korrik, sipas “Le Monde”, grupi i mediave “Reach”, pronar i tabloidëve “Daily Mirror” dhe “Daily Express”, ka njoftuar pushimin nga puna të 12 për qind të stafit, pra rreth 550 persona.