Kriza e COVID-19: Bien rastet pasi zvogëlohet numri i testimeve

Me gjithë premtimet e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, se numri i testimeve do të rritet, shifrat e testimeve ditëve të fundit janë ulur e bashkë me to edhe numri i rasteve.

Si rrjedhojë, shifra zyrtare e të infektuarve sot ishte nën 100, që është shifra më e ulët në dy javët e fundit.

Në fillim të këtij muaji synimi i Ministrisë së Shëndetësisë ishte që 3 mijë e 500 testime të kryhen brenda një dite, por të dhënat tregojnë se as 500 teste nuk janë duke u kryer për 24 orë.

“Sigurisht, në planifikimet tona është që brenda ditës t’i mbërrijmë 3 mijë apo 3 mijë e 500 apo edhe më shumë testime, falas”, pati deklaruar më 14 gusht ministri.

Premtimet për rritje të testimeve pati pothuajse  që nga koha kur Zemaj u bë ministër.

Edhe më 19 qershor pati deklaruar se do të ketë rritje të testimeve.

“Në rrafshin e monitorimit të situatës epidemiologjike  dhe mbajtjes nën kontrollë të saj, Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK do të vazhdojë të forcojë përgjigjet ndaj pendemisë, përmes gjurmimit aktivë të rasteve, rritjes së testimeve, izolimit të rasteve pozitive dhe kontaktit dhe trajtimit të të prekurve qoftë në mënyrë spitalore apo tretman mjekësorë”, pati thënë Zemaj.

Madje për rritje të testimeve u miratua edhe një plan për miratimin e rritjes së testimeve, por pa rezultat.

“Grupi profesional i Ministrisë së Shëndetësisë u përcaktua për një plan të veprimit që është rritja e mbulueshmërisë së popullatës me testime për COVID-19”, deklarata e tret e Ministrit për rritje të testimeve për coronavirus.

Madje edhe sot kur ministri është pyetur se kur do të ketë një datë kur do të bëhet rritja e testimve në nivel vendi, ai nuk dha datë konkrete vetëm tregoi për blerjen e paisjeve të reja për testim të COVID-19.

“Jemi në finalizim të marrjes së aparaturave edhe për blerjen e e Ministrisë së Shëndetësisë edhe nga OBSh-ja të cilat janë të garantuara në ardhjen e tri aparaturave për testet PCR, shtatë aparatura që janë në blerje nga Ministria e Shëndetësisë, poashtu për PCR por edhe për shtatë aparatura për testime serologjike”, deklaroi Zemaj.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, deri më tani ka licencuar mbi 80 laboratore për kryerjen e testeve serologjike por disa nga to kanë licencim edhe për kryerjen e testeve PCR.

Në 10 ditët e fundit vetëm më 21 gusht janë kryer 584 mostra ndërsa ditëve të tjerë mbi 400.

Nëse e krahasojmë me shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut, në Kosovë ka 50% më pak testime.