Shefi i diplomacisë malazeze, Ranko Krivokapiç, Foto:VOA

Krivokapiq: Vendimi për të penguar fluturimin e Lavrovit – respektim i angazhimeve të Malit të Zi

Shefi i diplomacisë malazeze, Ranko Krivokapiq, tha të martën se vendimi për të mos lejuar kalimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov nëpër hapësirën ajrore të Malit të Zi, është çështje e respektimit themelor të angazhimeve të vendit.

Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut vendosën të mos lejojnë fluturimin e avionit të ministrit rus nëpër hapësirën e tyre ajrore, duke çuar në anulimin e një vizite të planifikuar të tij në Serbi.

Kremlini reagoi me zemërim duke e cilësuar këtë një “veprim armiqësor” dhe “të pashembullt”.

Ministri i Jashtëm malazez, Ranko Krivokapiq tha të martën në Podgoricë,“se ishte një çështje e respektimit themelor të angazhimeve të Malit të Zi”, i cili u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Ai i cilësoi “befasuese” reagimet ndaj vendimit të Podgoricës.

“ Vendimi për ndalimin e fluturimit është marrë zyrtarisht nga qeveria si një procedurë administrative. Vizita mund të ishte bërë me tren, pasi linja hekurudhore Beograd-Moskë nuk është e ndaluar”, tha ministri Krivokapiq, gjatë një konference me gazetarë me shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, i cili po qëndron në Mal të Zi.

Shtetet e Bashkuara thanë se veprimi i Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, “pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”.

Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit i kanë vendosur sanksione Moskës, përveç Serbisë e cila ka refuzuar deri tani një gjë të tillë, me gjithë trysninë që t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian, bllokut që Serbia pohon se aspiron t’i bashkohet.

Ministri Lavrov tha se askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë, ndërsa fajësoi perëndimin për anulimin e vizitës.

“Ata mbase nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për nismën e Beogradit për të realizuar projektin e Ballkanit të Hapur në interes të marrëdhënieve më të shëndetshme dhe më të forta midis të gjitha vendeve të rajonit”, tha ministri rus.

Duke komentuar këtë deklaratë, ministri malazez Krivokapiq tha se “kryeministri ynë është në Ohër për takimin dhe se do të interesohet për shumë aspekte të paqarta të kësaj nisme. Me atë rast Ministria e Punëve të Jashtme ka përgatitur një analizë për shkak të shumë paqartësive të kësaj nisme”.

Nismës “Ballkani i Hapur” që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, e cila synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar deri tani Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të marr pjesë si vëzhgues në takimin e kësaj nismë që mbahet sonte dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën cilësi pritet të marr pjesë edhe Bosnja, ndërsa Kosova refuzoi ftesën e dërguar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Ministri malazez Krivokapiç, shprehu besimin se “nismat si “procesi i Berlinit” do të mbijetojnë për një kohë të gjatë, ndërsa të tjerat do të jenë jetëshkurtra”./VOA