Albin Kurti dhe Boiken Abazi FOTO:FACEBOOK

Kritikohet angazhimi i qeveritarëve të Kosovës dhe i zyrtarëve të LVV-së në fushatë në Shqipëri

Mbyllja e gastronomisë dhe vendosja e orës policore nga Qeveria e Kosovës javën e kaluar bëri që të shtunën dhe të dielën mijëra qytetarë t’ia mësyjnë Shqipërisë.

Mirëpo nuk ishin vetëm qytetarët e rëndomtë ata që shfrytëzuan motin e mirë të vikendit.

Në mesin e atyre që udhëtuan në Shqipëri në vikend kishte edhe ministra të kabinetit qeveritar e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, deputetët Armend Muja, Fatmire Kollqaku, Tinka Kurti, Enver Dugolli, Salih Zyba, Valon Ramadani, Agon Batusha, ishin disa nga figurat e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë publikuar fotografi nga Shqipëria.

Ata kanë shkuar në Shqipëri për t’u dhënë mbështetje Iliaz Shehut, Kreshnik Merxhani dhe Boiken Abazit për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 25 prill.

Mbështetje këtyre tre kandidatëve u ka dhënë edhe Albin Kurti, veçse në vend të vizitës, këtë fundjavë Kurti ka zhvilluar një takim virtual.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ministri Aliu është kthyer brenda ditës nga Shqipëria.

“Nuk jam ne dijeni të ndonjë ministri apo ministre që të ketë udhëtuar për në Shqipëri përpos ministrit Aliu. Ai ka udhëtuar të shtunën dhe është kthyer brenda ditës ne Kosove, pra brenda 24 orëve, për të marre pjesë të dielën në punëtorinë e Qeverisë”, ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.

 Opozita: Qeveria e papërgjegjshme për menaxhimin e pandemisë

Qeveria e vendit sot u kritikua nga opozita për mënyrën se si po e menaxhon pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka deklaruar se marrja e Kurtit me zgjedhje e protesta në Shqipëri, në kohën sa dhjetëra persona në javë vdesin  nga COVID-19, sipas tij tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media nga oborri i Kuvendit, tha se në këto tri javë ka pasur qeveri por jo edhe qeverisje.

“E vetmja gjë që kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore. Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, tha Tahiri në një konferencë për media.

‘Huqja’ e prioriteteve nga Lëvizja Vetëvendosje

Analisti politik, Imer Mushkolaj, i ka konsideruar moralisht të padrejta vizitat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Shqipëri në kohën kur Qeveria Kurti ka marrë masa të mbylljes në Kosovë.

Mushkolaj për KALLXO.com ka thënë që prioritet i deputetëve dhe ministrave duhet të jetë puna në Kosovë e jo fushata në Shqipëri.

“Me të drejtë kjo situatë ka shkaktuar irritimin e njerëzve duke pasur parasysh që LVV ka ardhur në pushtet me premtimin që me i grah punës dhe njerëzit presin që të punojë dhe jo të na tregojë filma duke shkuar në fushatë në Shqipëri ose duke marrë masa këtu e për vete duke i parë ministrat e deputetët atje”, tha ai.

Tutje Mushkolaj angazhimin e LVV-së për fushatën në Shqipëri për t’i përkrahur kandidatët Iliaz Shehu, Kreshnik Merxhani dhe Boiken Abazi, e ka konsideruar si hap të gabuar.

“Secila parti politike mundet me i pasë degët në shtete fqinje por tash për tash besoj që është një hap i gabuar i Vetëvendosjes në kuptimin e prioriteteve, LVV-në nuk e kanë votuar për t’i parë në fushatë në Shqipëri por e kanë votuar për të punuar në Kosovë. Unë besoj që është një huqje e prioriteteve”, theksoi ai.

Gazetari Enver Robelli ‘sorollatjen’ e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Shqipëri e ka konsideruar gabim politik dhe gabim pandemik.

“Kjo sorollatje shkakton keqkuptime dhe tensione të panevojshme. Kjo sorollatje e pengon edhe bashkëpunimin institucional mes dy vendeve. Sepse një qeveri që përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër, gjithsesi do ta ketë vështirë të krijojë raport mirëbesimi me një qeveri eventuale të nesërme në Tiranë, të cilën qeveria e Prishtinës synon ta dëbojë nga pushteti”, ka shkruar Robelli në Facebook.