
Kritikat rreth logos së 17-vjetorit të Pavarësisë - Kompania që e ka dizajnuar del me sqarim
Pas kritikave dhe aludimeve të shumta rreth përmbajtjes së logos së 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka reaguar Kompania “Red Mill”, e cila e ka dizajnuar këtë logo.
Kjo Kompani është shprehur se ka qenë nder për të që ta krijojë emblemën zyrtare të Ditës së Pavarësisë, “si një simbol që nuk përfaqëson vetëm dizajnin, por edhe shpirtin e një kombi”.
Më pas, “Red Mill” ka përshkruar në detaje përmbajtjen e logos.
“Në shikim të parë, dy forma të guximshme qëndrojnë krah për krah, një jehonë e ndjeshme e numrit 17. Një reflektim i kohës: 17 vjet pavarësi, festuar më 17 shkurt. Dy shtatëmbëdhjeta, të ndërthurura në kuptim, qëndrojnë si një homazh për rrugëtimin e kaluar dhe atë që ende na pret.” – thuhet në shpjegimin e kësaj Kompanie.
Format e logos, sipas “Red Mill”, zbulojnë më shumë.
“Ato ngrihen si krahë, gati për fluturim, duke mishëruar një vend që gjithmonë synon përpara. Ngjyra e artë pëshpërit triumf, një rrugëtim të shtruar me sukses. E bardha, ngjyra e unitetit, na kujton se së bashku, ne ngrihemi.” – shkruan Kompania.
Ndër kritikat më të shumta që i janë bërë kësaj logoje kanë qenë ato se ajo i gjason akronimit të partisë në pushtet, VV-së.
Logon e ka publikuar një ditë më herët Qeveria e Kosovës.
Krahas logos është publikuar edhe agjenda për Ditën e Pavarësisë.
Në ora 08:00 të 17 shkurtit pritet të fillojë mbledhja festive e Qeverisë. Më pas, në ora 8:20 pritet të bëhet ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës.
Nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë priten të bëhen në ora 08:30, e më pas në 09:00 priten homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në ora 09:10 priten homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, kurse në ora 10:15 planifikohen homazhe te Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nderime te monumenti “Heroinat” priten në ora 11:45, kurse në ora 12:00 planifikohet parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Më pas, në ora 14:00 planifikohet mbajtja e koncertit të Pavarësisë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kurse pas koncertit, në ora 16:00, planifikohet Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kjo Konferencë do të zhvillohet në amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”.
Në ora 18:00 planifikohet pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Kosovës.
Dita e Pavarësisë pritet të përfundojë me koncert solemn të Filharmonisë së Kosovës, me fillim nga ora 20:00.