Kritikat dhe akuzat e asamblistëve opozitarë për qeverisjen e Lladrovcit në Drenas

Në Kuvendin Komunal të Drenasit gjatë debatit “Jeta në Komunë” pati kritika dhe akuza nga asamblistët opozitarë për qeverisjen e Ramiz Lladrovci, duke nisur nga mosrealizimi i premtimit për rrjetin e ujësjellësit.

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzona Tërdevci, akuzoi kryetarin Ramiz Lladrovci se me 4.1 milionë euro ka nisur ndërtimin e sheshit në qytet, derisa ka pasur mundësi që ato mjete t’i shfrytëzone për zgjidhjen e problemit të ujit.

“Premtimi i tij se në gjitha lagjet në Drenas, edhe në fshatra edhe qytet do të ketë ujësjellës është i vjetër, prej 2017-tës dhe nuk ka arritë me realizu. Ky [Ramiz Lladrovci] e ka një stil që viktimizohet dhe e gjuan fajin të tjerët, po nëse 4.3 milionë që janë duke u dhanë për shesh i cili veç ka qenë i ndërtuar dhe investuar nga qeverisja e PDK-së në Drenas më shumë se 4 herë, besoj që kish me qenë shumë e mjaftueshme për me funksionalizu ujësjellësin” – ka thënë asamblistja Tërdevci.

Egzona Tërdervci – LVV, Drenas

Sipas saj, Ramiz Lladrovci do të mbahet mend për ‘tendencën për zhvatje të parasë publike”.

“Ky kryetar për krejt çka me u mbajtë mend është për tendencën për zhvatjen e pasurisë publike. Na jemi dëshmitarë qysh ka provu me dhanë në vazhdim pronën komunale për interesa të personave privat për 99 vite. Por për shkak të presionit publik e ka hjekë në seancën e kaluar” – shtoi ajo.

Lidhur më këtë u kundërpërgjigj kryetari Lladrovci duke u zotuar se do të ‘largohet’ nga posti nëse identifikohet një pronë publike që nga kjo listë është dhënë në shfrytëzim.

“Lista paraprake ku komuna identifikon prona të veta të cilat mundet me i dhanë në shfrytëzim dhe mandej investitorët munden me u interesu për to. Prona e çerdhes ka qenë vetëm në listën paraprake e aty unë nuk mundem me dhanë kur unë akoma kam institucione që e kryjnë shërbimin e vetë. Unë e kam votu listën prelimenare para 1 muaj dite në kuvend, e unë asnjë pronë nuk e kam dhënë prej atyre 51 pronave. Ma gjeni prej listës paraprake me 51 prona që e kam dhënë një pronë, unë sot po shkoj në shtëpi, po deklaroj publikisht, po rrenën e ka bë zonja në fjalë” – ka thënë Lladrovci më 16.11.2024.

Pas Lladrovcit, sërish mori fjalën asamblistja Tërdevci e cila pretendoi se procedurat për ndërtimin e sheshit vazhduan pa pritur vendimin e gjykatës së tenderëve.

“Unë kam bë kallëzim në polici të hetimeve ekonomike, për shkak se ligji i prokurimit publik thotë se autoritetet kontraktuese nuk munden me dhënë tender pa vendim të OSHP-së nëse lënda shkon në OShP. Zotëri Lladrovci e ka nënshkru tenderin për shesh pa u dhanë vendimi prej OShP-së, ka kalu afati ligjor dhe e ka shfrytëzuar heshtjen administrative. Por, për vendime të tilla nuk mund të shfrytëzohet heshtja administrative dhe duhet pritur vendimi i OShP-së” – tha ajo.

Për këtë, kryetari Lladrovci tha se ‘nuk e pret’ Organin Shqyrtues të Prokurimit kur ky institucion nuk kthen vendim brenda afateve ligjore.

“Unë kam marrë vendim pas kalimit të afateve ligjore për shqyrtimin e lëndës nga OShP-ja. Unë kam me vendosur, kur ajo [OShP] i kalon të gjitha afatet ligjore. Nuk e pres unë” – tha ai.

Më tej, gjatë debatit “Jeta në Komunë”, Ramiz Lladrovci u përballë me një kritikë edhe nga asamblisti Mehedin Salihu nga Demokratët për Drenasin.

Salihu tha se fshati Shtuticë nuk ka ujë të pijes dhe se as rruga afër shtëpisë së tij nuk është asfaltuar, duke pretenduar se njëherë kishte filluar puna aty por pastaj ishin tërhequr kur, sipas tij, ishte ‘marrë vesh’ që ndodhet shtëpia e tij aty.

“Ku ka dredhëza shumë, merre krojshen e vogël”, premtimet kanë qenë të mëdha dhe realizimet janë të vogla. Ju e përmendet Baicën por ka shumë fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm, p.sh. Fshati Shtuticë nga vijë unë nuk ka. Një pjesë e fshatit nuk ka as asfalt. Konkretisht në lagjen time ku banoj, e din drejtori, veç i ka shti bagerat me e shtru rrugën dhe si e ka marrë vesh që është shtëpia jem aty i ka tërheq pas dy ore punë” – tha Salihu.

“A po mendon qe po penalizohesh që je opozitë?”- e pyeti gazetarja Jeta Xharra. “Nuk ka arsyetim tjetër” – u përgjigj asamblisti Mehedin Salihu.

Për çështjen e rrugës, fjalën e mori drejtori i Infrastrukturës, Endrit Gllareva i cili tha se kishte ndodhur një gabim që ekskavatorët nisën punën te shtëpia e asamblistit opozitar. Ai u zotua se rruga afër shtëpisë së Mehedin Salihut do të asfaltohet në qershorin e vitit 2025.

“Realisht ndodhin këto gabime, menaxheri i kontratës e ka ngatërruar rrugën, por nuk u kanë pjesë e projektit rruga personale e tij, por e vëllait të tij, që është pronë publike. Rruga e asamblistit do të shtrohet në qershor të vitit të ardhshëm” – tha Gllareva.