Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kriteri privilegjues i konkursit të QKUK-së për të diplomuarit në universitete private

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hapur konkurs për 85 infermierë, 5 laborantë mjekësorë dhe 10 teknikë të rëntgenit më 27 shkurt të këtij viti.

Një qytetare, në kushte anonimiteti është ankuar në KALLXO.com për një kriter të këtij konkursi.

Për pozitën infermierë janë hapur 70 pozita për nivelin Bachelor dhe 15 pozita për nivelin e mesëm. Ndërsa, për teknikë dhe laborantë janë kërkuar vetëm të nivelit bachelor.

Këtë kriter, ajo po e konsideron diskriminues, sepse këto dy drejtime nuk ofrohen për studime në universitetet shtetërore në Kosovë, por vetëm në ato private.

Se këto drejtime nuk ofrohen për studim në UP e konfirmoi edhe asistentja e Rektorit të UP-së, Blerta Dibrani.

“Fakulteti i Mjekësisë është përqendruar në programet për të cilat ka staf adekuat për bartës të programeve, sipas akteve ligjore në fuqi të Agjencisë së Akreditimit dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Për këto dy programe nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm, ngase për të aplikuar duhet t’i plotësojnë kushtet e viteve të fundit, për të u akredituar” – thuhet në përgjigjen e Dibranit, për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të SHSKUK-së se pse për këto dy drejtime nuk ka pozita të hapura edhe në nivelin e mesëm dhe nëse këto konkurse krijojnë përparësi për studentët e universiteteve private.

SHSKUK tha se konkursi përgatitet varësisht prej kërkesave të klinikës. Në rastin konkret, Klinika e Radiologjisë ka kërkuar teknikë të radiologjisë të nivelit bachelor, sepse thotë që ka disa vite që në shkollat e mesme nuk ekziston ky drejtim.

“Në këtë rast klinika ka kërkuar që të shpallet konkursi përgatitje bachelor, ngase sipas menaxhmentit të Klinikës së Radiologjisë ka disa vjet që në shkollat e mesme nuk ekziston drejtimi teknik i radiologjisë, përderisa aktualisht ka profile që janë shkolluar dhe shkollohen për bachelor teknik i radiologjisë” – thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Për pozitën e laborantit mjekësor nuk është ofruar asnjë përgjigje.

Kandidatët më të suksesshëm janë përzgjedhur për këto dy pozita, ndërkaq për infermierë është anuluar testi me shkrim, për shkak të parregullsive gjatë mbarëvajtjes së testit.