Krimet në Bucha, Zelensky do t’i adresohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Lufta në Ukrainë po vazhdon, pothuajse me të njëjtin intensitet sikur të ditëve dhe javëve të mëparshme. Sot ka nisur dita e 41 e kësaj lufte – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada – pas 24 shkurtit kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës ndërkohë që perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak që, sipas presidentit rus Putin, ka si objektiv çmilitarizimin dhe denacifikimin e Ukrainës.

Ndërkohë, gjatë fundjavës forcat ruse janë akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në qytetin periferik të Kievit, Bucha. Dy ditë më parë, pas tërheqjes së trupave ruse nga ky qytet janë zbuluar viktima të vrarë e të shkapërderdhur nëpër rrugët e qytetit si dhe dhe janë gjetur varreza masive me qindra ukrainasë të vrarë brutalisht. 

Reagimi botës ndaj këtyre mizorive ruse ka qenë i madh dhe i menjëhershëm. Një numër në rritje liderësh – përfshirë presidentin amerikan Joe Biden – po i akuzojnë forcat ruse për kryerjen e “krimeve të luftës”. Biden ka bërë thirrje për një gjyq për krime lufte kundër presidentit rus Vladimir Putin. 

Në anën tjetër, Kremlini zyrtar i ka mohuar të gjitha këto akuza duke thënë se krejt këto janë fabrikime nga SHBA për ta paraqitur Rusinë si vend gjenocidial para botës. 

Presidenti i SHBA-së Joe Biden përsëri e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin, një “kriminel lufte” dhe tha se ai do të bënte thirrje për një gjyq për krimet e luftës, pas shpërthimit të një zemërimi global mbi pretendimet për vrasjet e civilëve nga ushtarët rusë në qytetin ukrainas Bucha. “Ne duhet ta mbledhim informacionin. Ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten për të vazhduar të luftojnë, dhe duhet të marrim të gjitha detajet [për të] për një gjyq për krimet e luftës. Ky njeri është brutal dhe ajo që po ndodh në Bucha është NJë egërsi”, tha ai të hënën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe hetuese në Ukrainë për t’i dokumentuar krimet e dyshuara të luftës ruse dhe krimet kundër njerëzimit. Ajo tha se kishte folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për “vrasjet e tmerrshme” që u zbuluan gjatë fundjavës atje.

Zelenskiy e vizitoi dje qytetin Bucha, rreth 45 kilometra në veriperëndim të Kievit, i veshur me jelek anti-plumb dhe i rrethuar nga personeli ushtarak të hënën. Ai foli për vdekjen dhe shkatërrimin në qytetet Stoyanka, Irpin dhe Bucha të çliruara së fundmi. “Qytetet janë thjesht të rrënuara,” tha ai, duke shtuar se autoritetet ukrainase e kanë nisur një hetim për krime të mundshme lufte. Zelenskiy tha se kishte informacione që sugjeronin se më shumë se 300 njerëz u vranë dhe u torturuan vetëm në Bucha.

Presidenti ukrainas iu drejtua udhëheqësve perëndimorë, duke kritikuar atë që ai e përshkroi si veprim të vonuar kundër Rusisë. “A duhej vërtet qindra njerëz tanë të vdisnin në agoni që disa liderë evropianë ta kuptonin më në fund se shteti rus meriton presionin më të ashpër?” ai pyeti. Duke iu referuar ndihmës ushtarake, ai tha: “Po ta kishim marrë tashmë atë që na nevojitej… mund të kishim shpëtuar mijëra njerëz.”

Zelenskiy do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën pasi tha se ishte në interesin e Kievit që të ketë një hetim të hapur për vrasjen e civilëve në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se të dhënat e vrasjeve civile në Bucha ishin vetëm “maja e ajsbergut”. Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ai tha se “tmerret e Buchas, Mariupolit dhe vende të tjera” kërkojnë “sanksione serioze të G7 dhe BE”.

Zelenski ka deklaruar se Ukraina po përgatitet për “aktivitet edhe më brutal” të forcave ruse në lindje dhe jug të Ukrainës. “Ne e dimë se çfarë do të bëjnë ata në Donbas,” tha ai. Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk, tha se Rusia po sulmon qytetet Rubizhne dhe Popasna në rajonin lindor të Luhanskut, ndërsa përgatit një sulm në qytetin e Severodonetsk dhe është në përpjekje për ta kapur Mariupolin.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, dukej se i vërtetoi pretendimet e qeverisë ukrainase, duke thënë se “Rusia po i ripozicionon forcat e saj për t’i përqendruar operacionet e saj sulmuese në lindje dhe pjesë të Ukrainës jugore” dhe kjo fazë e re e pushtimit rus “mund të matet në muaj ose edhe më gjatë”.

Rusia e ka mbështetur një kryebashkiak të ri, të vetëshpallur të Mariupolit, i cili po bashkëpunon me forcat ruse, raportoi Reuters.

Uashingtoni po punon për më shumë sanksione ekonomike kundër Rusisë që do të shpallen këtë javë, tha Sullivan, duke shtuar se “opsionet që lidhen” me industrinë fitimprurëse të energjisë të vendit janë në tavolinë tashmë.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss tha se ajo do të punojë me aleatët për t’i ndaluar anijet ruse nga portet perëndimore, për t’i goditur bankat ruse dhe për t’u dakorduar për “një afat kohor të qartë për t’i eliminuar importet tona të naftës, gazit dhe qymyrit rus”.

SHBA do të kërkojë largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut. Gjatë një vizite në Rumani, Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, i bëri thirrje organit ndërkombëtar që ta pezullojë Rusinë./The Guardian