Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Krimet ndaj ujgurëve të Kinës një test për pretendimet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti Erdogan e ka portretizuar Turqinë si mbrojtëse të turqve dhe myslimanëve në të gjithë botën. Por mënyra se si Kina po i trajton ujgurët po e teston këtë pretendim.

Viti i ri solli dy shenja të reja marrëdhëniesh të ngrohta midis Turqisë dhe Kinës – miratimi i Ankarasë për një vaksinë kineze kundër COVID-19 dhe miratimi i Pekinit o një traktati ekstradimi midis dy vendeve.

Ai gjithashtu solli një operacion të policisë turke, më 20 dhe 21 janar, në të cilin dhjetëra ujgurë u arrestuan dhe, sipas medias së pavarur turke Gazete Duvar, u dërguan në qendrat e paraburgimit si hapi i parë për ekstradimin e tyre në Kinë.

Pas disa vitesh largimi nga Perëndimi, strumbullari i Turqisë në Kinë nënkupton të mbyllësh sytë para persekutimit të Kinës ndaj popullatës së saj ujgure, një pakicë etnike turke myslimane kryesisht në rajonin veriperëndimor të Xinjiangut.

Turqia ka nevojë për paratë dhe investimet e Kinës. Por presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duhet të paguajë një çmim për këtë dhe ai është zotërua se do t’i dalë në mbrojtje grupeve të kërcënuara turke dhe myslimane në të gjithë botën.

“Blloku aktual në pushtet e sheh Kinën si një ekonomi alternative si për rrjedhën e kapitalit ashtu edhe për investimet”, tha Selcuk Colakoglu. Por çështja e ujgurëve dhe presioni kinez ndaj Turqisë për të mbajtur anën e saj e ka vendosur Ankaranë në një pozitë të vështirë.

“Ujgurët nuk janë vetëm myslimanë, por ata janë gjithashtu një komb turk dhe Turqia pranohet si lidere e këtij kampi”, tha Colakoglu për BIRN.

“Turqia dëshiron të përdorë Kinën si një mjet kundër Perëndimit, por është shumë e vështirë t’i përgjigjesh pritshmërive të Kinës në lidhje me çështjen e ujgurëve për shkak të presionit dhe reagimeve brenda dhe jashtë vendit.”

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë politikën e Kinës si “gjenocid”

Janë afërsisht 11 milion ujgurë që jetojnë në rajonin autonom të Xinjiangut të Kinës, që kufizohet, ndër të tjera, me ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore të Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.

I ndodhur në Rrugën antike të Mëndafshit, Xinjiangu – i njohur gjithashtu si Turkistani Lindor – ka qenë një qendër e tregtisë ndërkombëtare për shekuj me radhë dhe qytete ujgure si Kashgari kanë prodhuar një numër figurash të rëndësishme që kontribuan në zhvillimin e kulturës dhe historisë myslimane turke.

Ujgurët gjenden gjithashtu në Uzbekistan, Kirgistan dhe Kazakistan dhe ka komunitete të diasporës në të gjithë botën duke përfshirë një të tillë të madh në Turqi. Por në Kinë, ndërsa gëzojnë statusin autonom në letër, në praktikë ujgurët kanë shumë pak liri politike, kulturore ose fetare.

Kina ka zhvilluar një rrjet mbikëqyrjeje të përhapur në Xinjiang dhe, sipas grupeve të të drejtave, burgosi deri në një milion ujgurë në kampe pune të detyruar gjatë viteve të fundit.

Autoritetet kineze thonë se kampet ofrojnë arsim vullnetar dhe trajnim për të trajtuar atë që ato thonë se është kërcënimi nga radikalizmi islamik në Xinjiang.

Megjithatë, ka pasur raportime që fëmijët në Xinjiang ndahen me forcë nga familjet e tyre dhe se Kina i detyron gratë ujgure të sterilizohen ose të pajisen me pajisje kontraceptive në një përpjekje të dukshme për të ndaluar shtimin e popullsisë ujgure.

Një ditë para largimit nga detyra, administrata Trump në Uashington e akuzoi Kinën se po kryen “gjenocid” në Xinjiang.

“Unë besoj se ky gjenocid është duke vazhduar dhe se ne jemi dëshmitarë të përpjekjes sistematike për të shkatërruar ujgurët nga partia-shtet kineze”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë të martën përpara inaugurimit të Joe Biden të mërkurën si president. I zgjedhuri i Biden për të pasuar Pompeo-n, Antony Blinken, tha se ai ishte dakord me deklaratën.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave dhe vendet perëndimore thonë se traktati i ekstradimit i vitit 2017 midis Kinës dhe Turqisë, i cili u vulos në Pekin në dhjetor, por që ka ende nevojë për miratimin e parlamentit turk, mund të rrezikojë familjet ujgure dhe aktivistët që përpiqen t’i shpëtojnë persekutimit.

Në Turqi, organizatat e të drejtave, grupet e diasporës ujgure dhe opozita politike i kanë bërë thirrje qeverisë së Erdoganit të rishikojë traktatin dhe marrëdhëniet e saj me Kinën.

Traktati i ekstradimit “nuk do të miratohet”

Malike Makhmut, një aktivist i të drejtave ujgure që jeton dhe studion në Stamboll, Turqi, i tha BIRN se xhaxhai i tij, një poet, shkrimtar dhe përkthyes i mirënjohur dhe dy hallat e tij ishin midis atyre që u dërguan në kampe.

“Autoritetet kineze thonë se po e arsimojnë xhaxhain dhe hallat e mia. Si e bëjnë ata këtë, kur xhaxhai dhe hallat e mia tashmë kanë diploma universiteto?”

“Liderët tanë, intelektualët, mësuesit, artistët, poetët, shkrimtarët, hoxhallarët – ajka e shoqërisë sonë, me fjalë të tjera, të gjithë dërgohen në kampe dhe më pas në burgje”, tha ai. “Gratë po sterilizohen me forcë.”

Aktivisti tjetër i të drejtave të ujgurëve, Jevlen Sirmehmet, një avokat që jeton në Stamboll, ka protestuar për më shumë se dy javë së bashku me Makhmutin dhe disa të tjerë jashtë konsullatës kineze në qytet.

“Kam humbur komunikimet me familjen time që në vitin 2018, pasi Kina filloi të vinte në zbatim politikat e saj raciste”, tha Sirmehmet për BIRN. “Nga janari 2018 deri në dhjetor 2019, nuk kisha marrë asnjë lajm nga familja ime dhe mësova se ata ishin në kampe përqendrimi.”

“Mamaja ime u dënua me pesë vjet burg sepse më vizitoi në Turqi gjatë shkollimit tim.”

Afërsisht 50,000 ujgurë besohet se jetojnë në Turqi, megjithëse disa vlerësime thonë se numri është dy herë më i madh sesa kaq.

Si Sirmehmet ashtu edhe Makhmut thanë se druheshin për ndikimin që do të kishte traktati i ekstradimit mbi ujgurët në Turqi të cilët nuk kanë siguruar ende shtetësinë turke, por ata shprehën besim te shteti turk.

“Ne kemi besim te shteti i Turqisë”, tha Sirmehmet. “Shteti, të gjithë politikanët dhe publiku e dinë se çfarë po ndodh në Turkistanin Lindor. Turkistani Lindor është ndoshta 3,500 km larg Turqisë, por ai është ende një tokë turke dhe është ende një gur i rëndësishëm në kulturën, historinë dhe civilizimin turk. Ne besojmë se traktati nuk do të miratohet në parlament.”

“Turqia duhet të bëjë më shumë”

Rëndësia e marrëdhënies së Turqisë me Kinën është rritur me fillimin e një krize të thellë ekonomike dhe financiare në Turqi nën udhëheqjen e Erdoganit.

“Turqia do paratë dhe investimet e Kinës”, tha Colakoglu. “Që nga viti 2017, Kina ka investuar pesë miliardë dollarë në energjinë turke, projektet bankare dhe ato të infrastrukturës.”

Traktati i ekstradimit, tha ai për BIRN, “po teston pretendimet e presidentit Erdogan i cili shprehet se është mbrojtësi i myslimanëve dhe turqve në të gjithë globin.”

“Blloku qeverisës në Turqi është si islamik dhe nacionalist dhe ujgurët janë si myslimanë ashtu edhe turq. Është shumë e vështirë të presësh që Turqia të pranojë kërkesat e Kinës.”

Duke përmendur hezitimin e Turqisë për të ofruar ose mbështetje publike ose dënim të politikave të Kinës ndaj pakicave, Colakoglu tha se Ankaraja po përpiqej të mbante një “qëndrim të arsyeshëm”.

“Por kjo nuk është ajo që dëshiron Kina”, tha ai. “Kina dëshiron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për politikat e saj të pakicave”, shtoi Colakoglu.

Sirmehmet i kërkoi Turqisë të gjejë zërin e saj.

“Vende të tjera, veçanërisht vendet e tjera turke dhe myslimane, BE-ja, SHBA-ja dhe ujgurët po presin të gjithë se çfarë thotë dhe bën Turqia për këtë çështje”, tha ai.

“Si një vend i rëndësishëm në çështjen e ujgurëve, Turqia mund të jetë një shembull për të tjerët, të mirë dhe të këqij. Nëse Turqia ratifikon traktatin e ekstradimit, vendet e tjera do të bënin të njëjtën gjë, pa asnjë hezitim.” reporter.al