Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Krimet ekonomike në aksion, kontrolle në disa lokacione në Prishtinë

Policia e Kosovës, Departamenti i krimeve ekonomike në Prishtinë po zhvillon një aksion në disa lokacione.

Detajet rreth aksionit nuk dihen, por dyshohet se ndërlidhen me Ndërmarrjen Publike Banesore.

Rastin për KALLXO.com e konfirmoi Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

“Po, ndërlidhet me NPB-në. Për momentin nuk e kemi raportin e Departamentit të krimeve ekonomike, në momentin që ta kemi do t’i bëjmë të ditura detajet” – tha Krasniqi.

“Mund të konfirmoj që aksioni po zhvillohet në disa lokacione” – deklaroi ai.

Në anën tjetër, nga Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë kanë thënë se aktualisht ky institucion nuk po bastiset nga forcat e rendit.

Por, zyrtarët e kësaj ndërmarrje publike lokale nuk është se e kanë përjashtuar mundësinë që shtëpitë e zyrtarëve të kësaj ndërmarrje janë duke u bastisur.

“Mund të jua konfirmoj që nuk po ndodh në zyret e tona, pra aktualisht nuk ka ndonjë bastisje këtu por nuk e përjashtojmë mundësinë që është duke u bastisur ndonjë shtëpi e ndonjë zyrtari” – tha Arbonr Neziri, asistent ekzekutiv i kryeshefit të ndërmarrjes.

Aksionet e policisë i ka konfirmuar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme përmes një njoftimi në Facebook.

“Që nga mëngjesi i hershëm janë duke u zhvilluar tre aksione nga Drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës. Krimet ekonomike në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare” – tha ai.