Ilustrim.

Krimet ekonomike arrestojnë 7 persona në Obliq dhe Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 7 persona në dy aksione të ndara në Obiliq dhe Prizren.

Aksioni i Policisë është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Policia në Obiliq ka arrestuar dy persona, që dyshohen se nuk u janë përmbajtur kritereve të projektit që ndërlidhjen me madhësinë e gypave në projektin “Ndërtimi i brezit të gjelbër – Kosova A”.

Sipas Policisë, hetuesit policorë, pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore/operative kanë siguruar dëshmi dhe informacione të nevojshme për personat e dyshuar dhe dëmet e shkaktuara.

“Më këto veprime të dyshuarit O.K. dhe A.D. dyshohet se kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, në Bashkëkryerje”, nga neni 31 i KPRK-së.“ Mashtrimi në detyrë” nga neni 419” i KPRK-së, në “Bashkëkryerje”, nga neni 31 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën e policisë.

Me vendim mbi ndalimin nga Prokurori kompetent të dyshuarit e lartcekur O.K. dhe A.D janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti i dytë, sipas policisë është realizuar në Prizren, ku janë arrestuar pesë persona mbi dyshimin e bazuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“DHKEK ka kryer veprime hetimore mbi dyshimet e evidentuara nga Zyra e Auditorit Kombëtar, se zyrtarë nga Zyra për Kthim dhe Komunitete ne Komunën e Prizrenit, dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale lidhur me tenderin “Furnizimi me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komunitetit minoritar në Komunën e Prizrenit””, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje policia sqaron se nga veprimet hetimore të zhvilluara janë siguruar dëshmi se katër zyrtarët nga Zyra për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Prizrenit (C.B, I.D, R.D, A.I, dhe SH.B, përgjegjës i Operatorit Ekonomik, në bashkëkryerje kanë kryer dy veprat penale të lartcekura.

“Si rrjedhojë e këtyre veprimeve të personave të dyshuar, Komuna e Prizrenit kishte paguar faturat sipas listave të propozuara, duke dëmtuar në radhë të parë familjet skamnore si përfituese, si dhe Komunën e Prizrenit si autoritet kontraktues, së paku në shumën qe aktualisht është rreth trembëdhjetë mijë (13.000) euro”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se me Aktvendim të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.