Krijohet peticion kundër vendimit të KQZ-së për votuesit jashtë Kosovës

Organizata ‘Germin’ ka krijuar një peticion online për të kundërshtuar vendimin e KQZ-së për procedurat e aplikimit të votuesve jashtë vendit.

Në këtë peticion online thuhet se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Në peticion po ashtu thuhet se qytetarët jashtë Kosovës për shkaqe teknike mund të mos jenë të qasshëm në telefon dhe mund të mbesin rrjedhimisht pa votuar.

“Kjo paraqet shkelje absolute dhe pamundësim që qytetarët e njejtë të bëjnë kthimin në gjendjen (kthimin e të drejtës) se më hershme sepse ata do të njifen me këtë mohim/pengim vetëm pasi të përfundojë procesi zgjedhor e që praktikisht del që pasoja e tillë është evidente që rezulton në humbjen e të drejtës për të zgjedhur”, thuhet në këtë peticion.

Në anën tjetër, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një konferencë për media ka bërë të ditur procedurat se si do të telefonohen votuesit jashtë Kosovës, për të plotësuar aplikimin e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Elezi ka bërë të ditur se thirrja e votuesve do të bëhet në tri faza, ndërsa është e bazuar në udhëzimin administrativ të miratuar sot nga KQZ.

“Thirrja e parë realizohet në orarin e punës, sipas kohës lokale në Kosovë. Pastaj nëse aplikuesi nuk e hap telefonin, do të bëhen tentime të tjera gjatë orarit të punës, sipas kohës lokale të shtetit. Dhe tre nëse aplikuesi nuk e hap telefonin sipas pikës B, do të bëhet edhe një tentim tjetër pas orarit të punës sipas orës lokale të shtetit që figuron në aplikacion”, ka thënë Elezi.