Krijohet fond online për blerjen e librit të rrallë për Skënderbeun

Nezir Kraki, profesor në “Université Paris-Est Créteil” (UPEC), para tri ditësh u ka bërë thirrje qeverive shqiptare që të blejnë origjinalin e librit të “Historisë së Skënderbeut”.

Sipas Krakit, ky libër është e vetmja që mund të blihet pasi të tjerat janë në biblioteka me renome botërore.

Kraki në një publikim në Facebook ka shkruar se bëhet fjalë për origjinalin e vitit 1621 të këtij libri të shkruar nga autori francez Lavardin.

“Thirrje qeverive shqiptare. Ky libër shitet 5 mijë euro. Shteti shqiptar ose Kosova duhet ta blejnë urgjentisht që ta kemi në pronësi (nëse ende s’e kemi?). Bëhet fjalë për origjinalin e vitit 1621 të Historisë së Skënderbeut, shkruar nga autori francez Lavardin. E vetmja kopje në botë që mund të blihet, të tjerat janë në biblioteka me famë. Unë blej libra të vjetër dhe i koleksionoj por kaq shtrenjtë nuk kam ble asnjëherë. Nejse…është një libër tjetër n’shitje me çmim astronomik prej 22 mijë eurosh. Botuar në vitin 1596, në të gjendet portreti i gravuar i Skënderbeut me familje.
Po t’kisha qenë numërues në KQZ, i kisha ble dyjat”, ka shkruar Kraki.

Vetëm tri ditë pas, Kraki ka krijuar një fond online për grumbullimin e mjeteve për blerjen e “Historisë së Skënderbeut”.

Pas blerjes, ky libër pritet t’i dhurohet Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti në Krujë.

Fond për blerjen e librit origjinal “Historia e Skënderbeut” të autorit francez Jacques de Lavardin, botim i vitit 1621 me qëllim dhurimin e tij Muzeut kombëtar Gjergj Kastrioti në Krujë. Libri gjendet në Spanjë dhe kushton 5,000 Euro, kësaj shume i shtohet edhe çmimi i dërgimit me postë nga Spanja dhe taksa që FB po e ndalka për “trajtimin e donacioneve”. Në pamundësi për ta blerë privatisht këtë libër të rrallë, ideja është që ta blejmë të gjithë së bashku dhe t’ia dhurojmë muzeut”, ka shkruar Kraki.