Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes

Krijohen dy grupe punuese për shqyrtimin e tarifave të përmbaruesve dhe noterëve

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka caktuar dy grupe punuese, me qëllim të rishqyrtimit të tarifave të përmbaruesve privat dhe të noterëve.

Sipas njoftimit, kjo është bërë për shkak të ankesave të qytetarëve rreth tarifave të larta nga përmbaruesit dhe noterët.

“Nisur nga ankesat e vazhdueshme të qytetarëve rreth tarifave të larta të përmbaruesve privat dhe noterëve, sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, caktoi dy grupe punuese me qëllim të rishqyrtimit të tarifave të përmbaruesve privat dhe noterëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Anëtarë të gupeve punues janë Ardian Bajraktari, kryesues; një përfaqësues nga Kabineti i Ministrisë së Drejtësisë; tre përfaqësues nga Oda e Noterëve të Kosovës; përfaqësues nga Departamenti për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë; Floriana Rugova nga Departamenti Ligjor/ Ministria e Drejtësisë; Florim Shefqeti nga Oda e Avokatëve; Gent Salihu nga USAID; një përfaqësues nga Zyra e BE-së; një përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës.