Coronavirus

Kreu i OBSH-së me paralajmërime të zymta për vaksinën ndaj COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se mund të mos ketë kurrë një vaksinë perfekte për COVID-19, dhe se rruga drejt normalitetit do të jetë e gjatë.

Më shumë se 18 milionë njerëz në mbarë botën raportohet se janë infektuar me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19, dhe 688,080 kanë vdekur, sipas një raporti të agjencisë Reuters.

Nacionalizëm edhe për vaksinën ndaj koronavirusit?

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe kreu i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, nxitën kombet që të zbatojnë me rigorozitet masat shëndetësore siç janë: mbajtja e maskës, distanca fizike, larja e duarve dhe testimi.

“Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë: ‘Bëni të gjitha”, tha Ghebreyesus, në një konferencë virtuale për media nga selia e OBSH-së në Gjenevë.

Ai tha se maskat në fytyrë duhet të bëhen një simbol i solidaritetit në të gjithë botën.

“Një numër vaksinash tani janë në fazën e tretë të studimeve klinike dhe të gjithë shpresojmë të kemi vaksina efektive, që mund të ndihmojnë në parandalimin nga infeksioni. Sidoqoftë, nuk ka asnjë ‘plumb argjendi’ ndaj COVID-19 për momentin – dhe mbase mund të mos ketë kurrë”, tha ai.

Sipas kreut të OBSH-së, ekzistojnë shqetësime se “mund të mos kemi një vaksinë që do të funksionojë, ose mbrojtja nga ajo mund të jetë vetëm për disa muaj, jo më shumë”.

Megjithatë ai tha se asgjë nuk dihet, derisa të përfundojnë provat klinike./REL