Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar përmbyll sot një vit me shumë sfida

Baleti i Kombëtar i Kosovës përmbyll sot repertorin për viti 2020 me shfaqjen e reprizës së baletit, “Sisters”, e cila jepet nga ora 16:30.

Shfaqja “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan që kishte premierën më 03.12.2020, është premiera e dytë e realizuar nga Baleti Kombëtar për këtë viti.

Pandemia e Coronavirusit që shpërtheu në mars të këtij viti, ia pa mundësoi BKK-së realizimin edhe të një premiere tjetër të planifikuar për në majin që shkoi.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se BKK-ja po mbyll një vit me shumë sfida.

Kreshnik Musolli. Foto: Kallxo.com

“Si në çdo fushë tjetër edhe te ne, pandemia ka ndikuar në riorganizimin e punës për t`iu përshtatur situatës me COVID-19. Mirëpo, edhe në këto kushte arritëm që t’i realizojmë 9 repriza dhe 1 premierë që nga 28 shtatori kur filluam punën pasi Qeveria i lejoi aktivitetet kulturore”, ka thënë Musolli.

Shtimi i numrit të balerinëve mbetet problem i përhershëm për BKK-në, edhe për faktin se ka largim të balerinëve nga ky institucion.

“Këtë vit është larguar një balerinë dhe kemi nevojë për disa balerinë të rinj, për të cilën kemi bërë disa herë kërkesë te Ministria, mirëpo janë duke u finalizuar disa rregullore që të harmonizohen me ligjet e reja në fuqi dhe pastaj besoj që do të ketë diçka në ketë drejtim”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht problemeve që ka shkaktuar pandemia, BKK-ja ka hartuar repertorin për 2021.

“Projektpropozimin e kam finalizuar dhe është miratuar nga Këshilli Drejtues në fillim të kësaj jave. Vitin e ardhshëm do të kemi 3 premiera: e para do të jetë në muajin prill me koreograf Robert North; e dyta do të jetë në muajin tetor me koreograf Eno Peçi, dhe e treta në dhjetor me koreograf Blenard Azizaj. Gjithashtu do të planifikojmë disa performanca në qytetet e Kosovës si dhe në rajon”, ka thënë për Kallxo.com, Kreshnik Musolli, u.d.d. të BKK-së.