Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kreshnik Gashi tregon se si është ngarkuar rrjeti elektrik në veri nga prodhimi i kriptovalutave

Gazetari hulumtues Kreshnik Gashi në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur në lidhje me prodhimin e kriptovalutave dhe ngarkimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Kosovës nga prodhimi i këtyre monedhave virtuale.

Gashi ka thënë se para dy viteve ka pasur informata nga banorët e veriut për problemet që janë shfaqur në atë zonë, me prishjen e energjisë elektrike apo djegie të kabllove.

“Prodhimi i kriptovalutave shpenzon një sasi të madhe të energjisë elektrike, edhe e ka mbingarku rrjetin, i cili ka qenë bukur i dobët në atë pjesë. Ka pasur raste ku fshatra të caktuara për dy-tre ditë nuk kanë pasur energji elektrike, apo edhe zona të caktuara brenda qytetit. Për shkak se jemi duke folur për një zonë ku rrjeti i energjisë elektrike mirëmbahet nga një operator ilegal, që është i Serbisë”, ka rrëfyer Gashi.

Tutje, ai ka thënë se ka filluar hulumtimin pse rrjeti është i ngarkuar në atë pjesë të Kosovës dhe më pas e ka kuptuar se bëhet fjalë për prodhim të kriptovalutave.

“Problemi është te bodrumet apo pjesë shtesë të shtëpive, në të cilat janë të vendosura pajisjet të cilat janë të minimit të kriptovalutave. Kam parë vende në të cilat janë të vendosura mbi 1 mijë pajisje, kam parë njerëz që kanë blerë trafo dhe i kanë vendosur në oborret e tyre, për shkak se kërkohet rrymë e sigurt për këtë punë”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur se në veri të Mitrovicës ka kuptuar se rrjeti i energjisë elektrike është bërë prej fillimit, duke u riinstaluar kabllo të reja, që sipas Gashit, u ngjasojnë rrjeteve moderne të energjisë elektrike.