Intervista me Kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj, Foto: KALLXO.com
Kreshnik Gashi sfidon kryesuesin e KGJK-së për vetingun: Qysh u morët vesh me Qeverinë?
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj në një intervistë për “KallxoPernime” ka folur edhe për dakordimin me Qeverinë e Kosovës për reformë.
“KGJK asnjëherë nuk ka thënë që nuk don reformë”- ishte përgjigja e Zogajt.
Autori i intervistës, i cili është bashkautor i emisionit “KallxoPernime”, Kreshnik Gashi, insistoi të marrë një përgjigje se si u gjet paqja mes Qeverisë dhe KGJK-së që të bëhet pakoja e re pasi KGJK kishte deklaruar se nuk dëshirojnë veting.
“Ka ndryshuar perspektiva e të gjithëve” – tha Zogaj.
Albert Zogaj shtoi se me pakon e re me të cilën pritet të bëhet reformë në sistemin e drejtësisë Kosova do të fitojë shumë.
“Ajo që unë mundem me thonë është që për aq sa është eksperienca ime, me reformën aktuale apo pakon, do të fitojë Kosova, do të fitojë rruga e integrimit të Kosovës, do të fitojnë institucionet, njerëzit do të vishen me përgjegjësi të qarta për punën e tyre”- tha Albert Zogaj.
Zogaj u pyet nëse me pakon e re do të ketë ndryshim për inicimin e procedurave disiplinore pranë KGJK-së. Kryesuesi Zogaj tha se momentalisht kjo çështje gjendet në fazën e diskutimeve. Ai tregoi se ka mendime nga partnerët ndërkombëtare që procedura e inicimit të procedurës disiplinore duhet të bartet në KGJK dhe jo të iniciohen nga kryetarët e gjykatave.