Ndikimi i raportimit dhe e vërteta për vaksinën kundër COVID-19  

SARS-CoV-2 në një mënyrë ose tjetrën ka pushtuar botën. Njerëzit janë në luftë me pandeminë e coronavirusit e cila deri më tani ka lënë ‘gjurmë’ të pashlyer mbi gjithë njerëzimin.
Herë në izolim total e herë me lëvizje të kufizuar është përballuar bota që nga fillimit i vitit 2020, kohën kur përhapja e infeksionit kishte marrë hovë në gjithë botën.

Problem tjetër global përveç pandemisë janë edhe lajmet e rrejshme apo infodemia. Që nga fillimi i pandemisë fake news apo lajmet e rrejshëm kanë qenë pjesë e pashkëputshme, këtu përfshihen edhe mediat në Kosovë.
Fillimisht filluan raportimet se virusi nuk ekziston dhe se e gjithë kjo është gënjeshtër, menjëherë pas kësaj, raportimet filluan të tregojnë se si të kurohet kjo sëmundje edhe pse organet kompetente në gjithë globin nuk arrinin të definonin një kurë për këtë sëmundje.

Konsumimi i hudhrës e i limonit ishin ‘shëruesit’ e kësaj pandemie vdekjeprurëse sipas raportimeve të mediave, raportime të ngjashme të cilat pushtuan mediat sociale detyruan shumë familje në vend që të shtojnë konsumimin e këtyre dy produkteve edhe pse një raportim i tillë mbeti vetëm raportim medial dhe asnjëherë nuk u definua nga personat profesional pasi që trajtime të veçantë për COVID-19 nuk ka ende.

Lajmet e rreme nuk u ndalën me kaq, fakenews pati edhe për vaksinën kundër COVID-19.
Sipas mediave vaksina ‘AstraZeneca’ ka shkaktuar mpiksje të gjakut tek qytetarët e vaksinuar.
Pas këtyre raportimeve shumë shtete filluan të pezullojnë vaksinimin me ‘AstraZeneca’, në muajin mars vaksinën e pezulluan Holanda, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria dhe Tajlanda.

43,000 termine për vaksinimi u anuluan në Holandë pasi që shteti pezulloi vaksinimin me ‘AstraZeneca’.

Kryeshefja mjekësore e kompanisë ‘AstraZeneca’, Ann Taylor, pati deklaruar se numri i rasteve të raportuara me mpiksje apo trashje të gjakut është më i vogël se sa është pritur.

“Rreth 17 milionë persona në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë vaksinën tonë dhe një numër i rasteve të raportuara për trashje gjakut nga ky grup është më i vogël sesa qindra raste që do të mund të priteshin në mesin e popullsisë së përgjithshme”, pati thënë Taylor.

Refuzimi për vaksinim nga stafit shëndetësor në Ferizaj

Shteti i Shqipërisë në fillim të muajin mars i mundësoi stafit shëndetësor të Kosovës që të vaksinohen me vaksinën kundër coronavirusit, ‘AstraZeneca’, në Kukës të Shqipërisë.

Ndonëse kjo mundësi i erdhi edhe personelit shëndetësor në Ferizaj këta të fundit hezituan të vaksinohen, pasi që sipas drejtorit të spitalit, Jeton Zeqiri, raportimet në lidhje me vaksinën bënë që mantelbardhët, por edhe vet drejtori të mos vaksinohet.

“Lista u bo ma herët, mandej filluan shtetet evropiane me hjek nga përdorimi ‘AstraZenecën’ edhe ajo ka qenë arsyeja do të thotë që punëtorët shëndetësorë që kanë refuzu, por në momentin që OBSh e dha dritën jeshile që munden (me u vaksinu) lista vetëm pati shkuar” , pati thënë drejtori i spitalit për KALLXO.com.

Në anën tjetër mbi 500 mantelbardhë në nivel vendi u vaksinuan në Kukës të Shqipërisë.

Çfarë thonë personat kompetentë për vaksinën?

Drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i duke e pakuptimit hezitimi për vaksinimi të stafit shëndetësor pasi që sipas tij mantelbardhët kanë njohuri për vaksina e përgjithshme imunologjike e epidemiologjike.

Ramadani thekson se askush nuk është i obliguar të vaksinohet por që ai thotë se marrja e vaksinës mbron individin i cili e merr vaksinën dhe se një gjë e tillë është zëngjiror, secili e mbron vetëm dhe njëri – tjetrin në rast se vaksinohet.

“Vaksinat nuk janë medikamente janë preparate imunobiologjike të cilat jepen në organizëm për të nxitur sistemin imunitar të krijoj antitrupa të cilët do ti njohin shkaktarët e sëmundjes që do të jepet vaksina”, pati thënë ai në #debatpërnime.

Mikrobiologu, Lul Raka, thekson se informatat e rrejshme apo infodemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në përballjen me pandeminë, sipas tij deklaratat se nuk ka virus, mohimi i virusit, kanë ndikuar në rritjen e infeksionit tek qytetarët.

Në anën tjetër Raka thotë se zbulimi i vaksinave ndikon shumë në parandalim të sëmundjeve.

“Lajmet e rrejshme për vaksinat nuk janë vetëm për vaksinat tash as nuk janë vetëm në Kosovë por ka në krejt botën, është me vite të tëra që e propagandojnë antivaxin, është rrjet rrymë antivaxi.Në parandalimin e sëmundjeve asnjë send në botë nuk ka ndikuar më shumë se vaksina. 20 vitet e fundit, vaksinimi në përgjithësi ka shpëtuar 32 milionë jetë njerëzish, pjesa më e madhe e tyre fëmijë nën 5 vjeç. Nuk ka zbulim më të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve, se vaksina”, deklaroi Raka në #debatpërnime.

Mikrobiologu tutje tregon se secila vaksinë ka efekte anësore, por tek disa persona manifestohet ndërsa tek disa jo.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, fajson nivelin administrues të vaksinimit, pasi që sipas tij ka shumë gjëra të cilat nuk janë sqaruar.
Ai thotë se duhet të sqarohet se sa kohë pas negativizitimit me COVID-19 duhet të vaksinohen qytetarët apo duhet shikohet niveli antitrupave.

“Për shkak të hezitimit që është bërë dhe është ka ndodh ende unë mund të fajsoj nivelin që administrojnë aksionin e vaksinimit për shkak se ka shumë pikëpyetje të cilët në shtet tjera i kanë sqaruar, si për shembull, sa kohë pas negativizimit të atyre që kanë qenë pozitiv mund të vaksinohen, cila janë komplikimet e mundshme apo të pritshme, apo sa duhet të jetë niveli, apo nuk ka nivel të antitrupave të cilët nuk kanë nevojë të vaksihohen të gjitha këto kanë bërë një përshtypje tek  mjekët jo vetëm tek ‘AstraZeneca’ por në përgjithsi të hezitojnë”, u shpreh Sejdiu për KALLXO.com.

Tutje ai insiston se ka një keqinformim në publik dhe se instituti duhet të ofrojë këshilla rreth vaksinimit.

“Ka një keqinformim ne publik dhe mendoj se instituti duhet të jetë shumë më agresivë në dhënjen e këshillave dhe informacioneve rreth vaksinës, sepse kjo frik nuk guxoj të qëndroj sepse deri më tani e kemi kritikuar Qeverinë pse nuk na kanë ardh (vaksinat) dhe tash i kemi vaksinat dhe të mos përdoren ato është e papranueshme”, tregon ai.

Kontigjenti me vaksina që bëri ‘historin’ në Kosovë

Ndonëse me premtime që nuk u mbajtën nga udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse e fundit në Evropë, Kosova arriti të furnizohet me 24 mijë vaksina ‘AstraZeneca’ donacion nga UNICEF përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

24 mijë vaksina erdhën për 24 mijë qytetarë, sipas Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, dozat tjera të vaksinës kundër coronavirusit do të vijnë së shpejti.

Një ditë pas pranimit të ndihmës, Kosova u mobilizua dhe filloi vaksinimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë dhe disa ditë më pas edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në komuna.

Tutje, Kosova pritet të marrë falas 100,800 vaksina nga kompania COVAX të vaksinës ‘AstraZeneca’.

Tri fazat e vaksinimit:

Faza I – vaksinimi i grupeve me rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike. Numri i përgjithshëm i grupit të parë prioritar të synuar është 54,000 individë, i cili përbën 3% te popullsisë së përgjithshme të vendit.

Faza II – grupi i synuar në fazën 2 të futjes në përdorim të vaksinës kundër COViD-19 do të përbëj 17% të popullsisë se përgjithshme dhe do t’i përfshijë grupmoshat 65-79, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID19.
Vaksina AstraZeneca për COVID-19 është një vaksinë që mund të parandalojë infeksionin tek personat e sëmurë nga COVID-19.

Faza III – gjatë fazës 3, e cila është e fundit, PSHV parasheh vaksinimin e 50% te popullsisë në mënyrë që te arrijë 70% te mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Sipas të dhënave të MSh deri dje në nivel vendi janë vaksinuar 10,000 qytetarë këtu duke përfshirë staf shëndetësor dhe persona mbi 80 vjeç.

Në anën tjetër vendi është duke u ballafaquar me valën e tret të pandemisë SARS-CoV-2, nga data 1 – 7 prill në Kosovë janë regjistruar 76 qytetarë të vdekur si pasojë e infeksionit, 4,908 janë infektuar përderisa 4,736 janë shëruar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot ka njoftuar se 345 persona janë infektuar me coronavirus përderisa tetë persona kanë vdekur në 24 orët e fundit.

Aktualisht janë 13,763 raste aktive me COVID-19. Kosova ende nuk ka statistika se sa përqind e popullatës e kanë kaluar infeksionin. 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Australisë, vaksina ‘AstraZeneca’ për COVID-19 nuk përmban asnjë virus të gjallë SARS-COV-2, dhe nuk mund t’ju japë COVID-19. Ai përmban kodin gjenetik për një pjesë të rëndësishme të virusit COVID-19 të quajtur proteina spike.

Vaksina ‘AstraZeneca’ për COVID-19 është e përshtatshme për njerëzit e moshës 18 vjeç e lart. Askush nuk është i obliguar të merr vaksinën kundër coronavirusit. Personat e vaksinuar janë të obliguar të qëndrojnë ulur për 15 minuta për të parë nëse kanë reaksione pas marrjes së vaksinës.

Linku për regjistrimin e qytetarëve për vaksinim

Agjensia Shtetërore e Informacionit – AShI, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hapur link për regjistrim të të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19.

“Për çfarëdo problemi që qytetarët mund të hasin gjatë aplikimit, mund ta adresojnë atë përmes email adresës: [email protected] dhe ne faqen e-kosova në rrjetin social facebook”, thuhej në njoftimin e MSh-së.

MSh në një përgjigje dhënë për KALLXO.com konfirmoi se në platformën ekosova janë regjistruar rreth 4,000 persona, të interesuar për vaksinim.

“Ky është proces i hapur dhe regjistrimi po vazhdon. Ka të regjistruar nga të gjitha komunat dhe ato lista do të ndahen me ekipet e vaksinimit kur procesi i vaksinimit të nis edhe me grup moshën mbi 80 vjeç. Përveç kësaj, ka edhe rrugë tjera për regjistrimin e atyre që kanë vështirësi në përdorimin e aplikacionit apo teknologjisë informative”, thuhej tutje në përgjigjen e ministrisë.