Krerët shtetëror kujtojnë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zëkën në 38 vjetorin e vrasjes

Krerët shtetëror, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj kanë kujtuar sot përmes postimeve në rrjetin social Facebook, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën, në 38 vjetorin e vrasjes.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti Hashim Thaçi ka shkruar se vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës ishte një goditje e rëndë për lëvizjen patriotike, si jashtë, ashtu dhe brenda Kosovës.

“Tre veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, para 38 viteve u vranë nga segmente të shërbimit sekret jugosllav. Ishte një goditje e rëndë për lëvizjen patriotike, si jashtë, ashtu dhe brenda Kosovës, pikërisht kur po bashkërendoheshin grupet politike në një front të përbashkët. Edhe pas katër dekadave ende nuk është zbardhur ky krim i kryer në Gjermani”, ka shkruar Presidenti Thaçi në Facebook.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj ka shkruar se heronjtë Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në tentim për të vrarë përpjekjet për liri dhe shuar shkëndijat e kryengritjes që po afrohej.

“Ata gjithmonë na vranë në prita si qyqarët. Në tentim për të vrarë përpjekjet për liri, të shuanin shkëndijat e kryengritjes që po afrohej, të pabesët qëlluan Jusuf Gërvallen, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallen. Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin vet arkitektët e saj. 17 janari i vitit 1982, nuk ishte datë e vdekjes për ta, por dita e përjetësisë së tyre. Lavdi!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në Facebook.

Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në një atentat më 17 janar 1982 në Untergrupenbach në Gjermani.

Pavarësisht se nuk pati të dënuar për atentatin ndaj veprimtarëve Gërvalla dhe Zekës, dyshime për vrasjen u hodhën mbi shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, UDB.