Televizioni Top Channel në Shqipëri

Krerët institucionalë të Shqipërisë dënojnë vrasjen pas sulmit me armë drejt objektit të Top Channel

Krerët e institucioneve të Shqipërisë, kanë dënuar rastin e sulmit me armë zjarri në drejtim të televizionit shqiptar Top Channel sot pas mesnate, ku si pasojë i vrarë ka mbetur një punëtor i sigurimit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka inkurajuar organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë “ngjarje kriminale”.

“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar ‘Top Channel’ është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale” – ka shkruar Begaj në Facebook.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka thënë se kjo ngjarje e rëndë kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.

“Sulmi me armë ndaj TV kombëtar “Top Channel” dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese. Solidaritet me TV ‘Top Channel’ dhe ngushëllime familjes Kola.  Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!” ka shkruar ajo në Facebook.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Në një postim në Twitter ai ka shkruar se “agresioni kriminal” ndaj TCH, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!” – ka shkruar Rama.

Në orët e para të ditës së sotme, në drejtim të objektit të televizionit shqiptar Top Channel në Tiranë është qëlluar me armë zjarri.

Policia e Shtetit në një njoftim ka bërë të ditur se si pasojë e të shtënave ka vdekur një 60-vjeçar.

Policia ka thënë se viktima ka qenë roje e sigurisë në Top Channel, punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve.