Krerët e shtetit vizituan Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë

Kryeministri Albin Kurti në shënim të 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës ka vizituar Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë ku të pranishëm ishin edhe ish-komandantët e UÇK-së, Sylejman Selimi e Agim Çeku.

Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s, kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999, që shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n.

Sipas një komunikate për media, kryeministri Kurti ka thënë se “datën 12 qershor e kujtojmë gjithmonë, dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë”.

“Në këtë ditë dhe në vazhdimësi i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave, të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë”, ka thënë Kurti.

Në këtë manifestim të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve.