Krerët e shtetit nderojnë ushtarët e rënë të NATO-s gjatë luftës në Kosovë

Krerët e shtetit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, sot vendosen kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e shënimit të 22- vjetorit të Ditës së Paqes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me këtë rast po nderojnë kontributin e secilit ushtar të NATO-s të cilët i qëndruan përkrah Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj.

“Jemi Këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalë në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha se hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e UÇK-së i solli Kosovës pas një sakrifice edhe lirën edhe çlirimin edhe paqen. Për media u prononcua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke thënë se në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë.

“Më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Milloshoviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetës për çdo ditë sepse të gjitha ato gra e burra të cilat u sakrifikuan, dhanë jetën, ndodhën në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilën duhet ta shpijmë me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, u shpreh Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në Ditën e Çlirimit të Kosovës ka thënë se liria erdhi si kontribut i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë që ndihmuan luftën për t’u çliruar nga Serbia. Aleanca e madhe ushtarake, tha Konjufca, tregon se kauza jonë ishte e drejtë. RTV21