Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti takuan kryeministrin Grek Kyriakos Mitsotakis

Krerët e shtetit kërkojnë njohjen e Kosovës nga Greqia

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kërkuan njohjen e Kosovës nga Greqia.

“Në takim me kryeministrin Mitsotakis, krerët shtetërorë theksuan rëndësinë e avancimit të raporteve mes dy shteteve. Ata po ashtu kanë theksuar rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kërkuan përkrahje nga Greqia edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

“Më tej, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë kërkuar përkrahje nga Greqia në procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën mbron kredibilitetin e BE-së dhe se ky proces nuk duhet ndërlidhur me procese të tjera”, vazhdon njoftimi.

Temë diskutimi siç njofton Presidenca ishte edhe synimi i Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kosova mbetet e palëkundur në orientimin euro-atlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, theksohet në njoftim.

Në këtë takim është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë në fushën e sigurisë, tregtisë, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit reciprok.