17.02.2022,

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Liderët shtetërorë – presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, për nder të Ditës së Pavarësisë 17 shkurti.

Presidentja Osmani tha se në 15 vjetorin e pavarësisë përkujtojnë akrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën e tyre në mënyrë që populli të jetojë i lirë dhe i pavarur.

“Në këtë 15 vjetor të pavarësisë sonë përkujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën e tyre në mënyrë që populli të jetojë i lirë dhe i pavarur. Jemi këtu me delegacionet tona për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, trimërinë dhe guximin e tyre nëpërmjet të cilëve u vunë themelet e forta të shtetit tonë”- tha Osmani.

“Kosova, jo vetëm që është shtet me qytetarët më të rinj është dhe shteti më i ri në Evropë me një rrugë të qartë përpara, ajo rrugë është rruga euroatlantike, ku Kosova e ka vendin dhe ku do ta gjej vendin e saj shumë shpejt”- shtoi ajo.

Kryeministri Kurti theksoi se Prishtina është kryeqytet i Kosovës por që Prekazi sipas tij, është kryeqytet i kryengritjes shqiptare.

“Prishtina është kryeqyteti i Republikës por, Prekazi është i kryengritjes shqiptare prandaj, ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin tonë, tregon që rruga jonë përpara ka gjithmonë në kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që gëzojmë”- u shpreh Kurti.

Ndërsa kryeparlamentari Konjufca, deklaroi se pavarësia dhe liria e vendit kanë qenë e pa mundshme pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së Jasharajve.

“Pavarësia dhe liria jonë ka qenë e pa mundshme pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë dhe momenti më i lavdishëm ka qenë lufta e Jasharjave dhe e Prekazit kundër Serbisë për çlirim. Sakrifica e Jasharjave ka ngritur në një dimension tjetër edhe kombin shqiptar por në anën tjetër dhe ka zgjuar botën dhe rej atij momenti askush nuk ka pasur dyshim që liria e Kosovës është e pashmangshme”- tha Konjufca.

Bashkë me liderët shtetërorë, në homazhe ishte edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i cili tha se për 15 vite është parë lindja dhe rritja e shtetit të Kosovës.

“15 vite kemi parë lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Besoj se rrugëtimi jonë është përpara rrugëtimi euroatlantik. Shumë kënaqësi që jam sot këtu”- u shpreh Begaj.