Java e sigurisë rrugore. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Krerët e institucioneve zotohen për më shumë siguri në rrugë
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ai i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj, kanë nënshkruar sot një deklaratë simbolike në shenjë të “Javës së Sigurisë Rrugore”.
Ministri Abrashi ka thënë se ky akt shërben për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në komunikacion rrugor dhe se zotohet për respektimin e kësaj deklarate.
“Në kuadër të Javës së Sigurisë në Rrugë, duke marrë parasysh edhe fillimin e vitit të ri shkollor, që nënkupton edhe më shumë aktivitete. Ky akt do të shërbejë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Në një formë ceremoniale, ne krerët e tyre japin zotim për më shumë siguri në rrugë. Kemi identifikuar edhe pikat e zeza, me ç’rast kemi ndërhy me një nënkalim në fshatim Balinc dhe do të ndërtojmë një të njejtë edhe në fshatin Koreticë”, ka thënë ai.
Ndërsa i pari i MPB-së, Agim Veliu ka premtuar se do t’i qëndrojë mbrapa deklaratës së shkruar.
“Duhet t’i respektojmë rregullat në komunikacion që të kontribojmë në ruajtjen e jetës. Unë do të jem njëri nga ata që do të bëj përpjekje maksimale që premtimin ta mbaj ashtu sikruse kërkohet në letër”, ka shtuar Veliu.
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj ka thënë se në krahasim me statikstikat e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, numri i vdekjeve në trafik është më i vogël.
Por Qalaj ka shtuar se numri i personave të lënduar nga aksidentet është i madh për një vend si Kosova.
“Mund të themi se trendi këtë vit është shumë inkurajes, deri tash kemi 24 persona më pak të vdekur sesa në periudhen e njejtë të vitit të kaluar. Mbi 5 mijë e 800 të lënduar janë nga aksidentet, një numër më i madh për një Kosovë të vogël. Përmes kësaj në synojmë të kemi më pak persona të lënduar e të vdekur në komunikacion. Policia do të angazhohet më shumë dhe do të jemi më strikt”, ka thënë drejtori i përgjitshëm i Policisë gjatë konferencës.