Kompleksi Memorial në Reçak, 15 janar 2020 - Foto: KALLXO.com

Krerët e institucioneve të Kosovës bëjnë homazhe në Reçak

Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut në 23 vjetorin e Masakrës në këtë fshat.

Në çdo përvjetor, Reçaku vizitohet nga shumë qytetarë të cilët bëjnë homazhe për 43 civilët shqiptarë që u vranë dhe u masakruan nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia i ka mohuar krimet e kryera në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën.