Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Foto: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë

Krerë të institucioneve e partive në Kosovë urojnë presidentin e ri të Shqipërisë

Në Shqipëri sot është zgjedhur presidenti i ri. Pas zgjedhjes së Bajram Begajt në krye të shtetit urime të shumta i janë drejtuar atij nga liderët e institucioneve dhe partive në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka qenë ndër të parat që e ka uruar homologun e saj shqiptar. Ajo ka thënë se së bashku me Begajn do të punojnë që të thellohen raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Begajn duke e ftuar të punojnë bashkë për të lehtësuar sfidat me të cilat përballen Kosova dhe Shqipëria.

“Sfidat me të cilat përballen republikat tona dhe mbarë kombi lehtësohen atëherë dhe sa herë që punojmë bashkë. Andaj, le të angazhohemi e bashkë rendohemi drejt synimeve tona për mirëqenie e liri, drejtësi e siguri, zhvillim e progres, gjithnjë në orientimin tonë të palëkundur evropian, perëndimor e demokratik”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar Begajn për të cilin tha se është i bindur se do ta kryejë detyrën e tij me dinjitet.

“Presidentit të sapo zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, zt. Bajram Begaj, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, i shpreh urimet më të përzemërta për detyrën e re dhe tejet të rëndësishme. Jam i bindur qe Presidenti Begaj do ta kryejë me dinjitet, ndershmëri, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë këtë detyrë të rëndësishme”, thuhet në urimin e Konjufcës.

Ai shtoi se uron që nën presidencën e Begajt, Shqipëria të sigurojë vazhdimësinë e stabilitetit politik, zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe përparimit në rrugën e integrimit evropian.

“E siguroj presidentin Begaj se do ta ketë gjithnjë gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë në thellimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve tona bija të të njëjtit komb, si dhe në projekte që e rrisin sigurinë, mirëqenien dhe potencialin e shqiptarëve në rajon”, vazhdon tutje postimi i Konjufcës.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj uroi Begajn që të ketë suksese në detyrën e tij.

“Shqipëri, urime presidenti i ri i Republikës! Presidentit të sapozgjedhur Bajram Begaj, i uroj shumë sukses në kryerjen e detyrave në shërbim të Shqipërisë e të shqiptarëve!”, ka qenë urimi i Haradinajt.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se një vend me institucione të kompletuara e të fuqishme i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit në rajon.

“Parlamenti i Shqipërisë ka zgjedhur sot President të ri të vendit, zotëri Bajram Begaj. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, i uroj detyrën e re presidentit Begaj dhe shumë suksese në punë”, thuhet në postimin e Krasniqit.

Bajram Begaj është zgjedhur president i Shqipërisë. Në votimin që u krye në seancën plenare në Kuvend, morën pjesë 83 deputetë.

Begaj u zgjodh me 78 vota pro, teksa 4 deputetë votuan kundër dhe pati një abstenim.

Prej tyre, 74 ishin deputetë të Partisë Socialiste, 8 të opozitës përkatësisht Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Për Drejtësi Integrim dhe Unitet si dhe 3 nga Partia Social Demokrate.