Krenohet Avdullah Hoti: Rrita punësimin për 11 për qind

Avdullah Hoti, ish- ministër i Financave i ftuar për #debatpernime në serinë e debateve parazgjedhore Zgjidhje para Zgjedhjeve ka deklaruar se shkelësit e ligjit duhet të nxirren jashtë sistemit publik dhe gjithashtu të imponohet etika në institucione.

“Atë që duhet të bëjmë është të krijojmë rend dhe ligj dhe të imponojmë etikë në institucione.  Në kohën time si ministër ka pasur disiplinë strikte në financat publike, që unë dhe partia ime krenohemi, është se kemi krijuar disiplinë të financave publike, i kemi stabilizuar këto financa publike. Nuk ka pasur zyrtar, nuk ka pasur ministra që kanë mundur t’i fusin duart në buxhetin e shtetit jashtë ligjit”, ka thënë Hoti.

E Hoti në debat ka thënë se krenohet ehe ai edhe partia për të arriturat në sistemin e ekonomisë kur kjo ministri është udhëhequr nga ai.

Hoti ka përmendur po ashtu shpenzimet publike, rritjen ekonomike në ATK, Dogana të Kosovës, TVSH, duke shtuar se si ministri kanë rregulluar rritjen e pagave në sektorin publik.

“I kemi menaxhuar mirë shpenzimet publike kemi rritur të hyrat, kemi krijuar rritje në ATK, në Doganat e Kosovës, i kemi stabilizuar shërbimet rrjedhëse. Atë që kemi bërë ne është se ne e kemi përshkallëzuar TVSH, për të gjitha mallrat e shërbimeve të konsumatorit. Kemi vendosur rregullën për rritjen e pagave në sektorin publik. Kjo ka ndikuar që në vitin 2016 si rezultat i politikave fiskale, kemi pasur 11% rritje të punësimit. Ne kemi vendosur rregull për rritjen e pagave në sektorin publik, që ato të rriten në baza vjetore aq sa ka rritje ekonomike.  Ne nuk kemi arritur t’ i çojmë deri në fund disa politika fiskale”, ka vazhduar më tej ai.